Lidhje

Kompanitë amerikane kanë nevojë për reforma rrënjësore në drejtim - 2003-10-24


Henry Kaufman, bankier në pension i Wall Streetit dhe një nga autoritetet kryesore në fushën e tregjeve të kapitalit dhe përqindjeve të interesave, bëri thirrje të enjten për reforma rrënjësore në mënyrën e drejtimit të kompanive amerikane.

Gjatë një takimi në Washington, zoti Kaufman tha se vala e shkeljeve që tronditi biznesin amerikan tre vitet e fundit, ka shumë mundësi që ende të mos jetë ndalur.

Duke i quajtur skandalet më të mëdha në ekonominë amerikane që nga bumi i vitit 1920, që përfundoi me krizën e tregjeve të aksioneve të vitit 1929, zoti Kaufman theksoi se bordet e kompanive të mëdha duhet të jenë shumë më aktive në aspektin e kontrollit ndaj drejtuesve të kompanive.

Ai tha se disa nga shkollat kryesore të biznesit kanë pjesën e tyre të fajit për shkeljet sepse nuk përfshinë në mësimet e tyre episode të ngjashme të pangopësisë sistematike.

“Shumë të diplomuar nga këto programe, tha zoti Kafman, kanë kontribuar në krijimin e një kulture që favorizon fitimet e shpejta dhe aventurizmin financiar”.

Në fakultetet e biznesit, tha ai, duhet të jenë të detyrueshme lëndët e historisë së ekonomisë dhe financave.

Zoti Kaufman, i cili ka shërbyer edhe si kryekonomist i firmës Solomon Brothers në New York, flet ashpër për fondet e përbashkëta, instrumenti kryesor i investimeve për shumicën e amerikanëve.

Ai ankohet se këto fonde i dorëzojnë protofolet e tyre shumë shpesh dhe nuk u kushtojnë shumë vëmendje veprimtarive të kompanive të aksioneve që ato zotërojnë. Në të vërtetë, thotë zoti Kaufman, kriza aktuale karakterizohet nga një ndarje mes pronësisë dhe kontrollit të korporatave.

“Investitorët institucionalë tani kanë në dorë shumicën e aksioneve më të mira, por ato mbeten kryesisht pasivë dhe rrallë angazhohen në kompanitë ku kanë aksionet e tyre. Ndërsa askionerët institucionalë bashkohen shpesh në diçka që unë e quaj martesë për interes me atë që ofron më shumë”, thotë ai.

Zoti Kaufman thotë se ndryshimet e shpejta në teknologjinë e kompjuterave duhet të çojë në rritjen e jo pakësimin e mbikqyrjes nga qeveria mbi tregjet financiare. Megjithatë, thotë ai, reformat kuptimplote nuk mund të vijnë nga jashtë, por nga lart, nga drejtuesit e korporatave amerikane.//kk//

XS
SM
MD
LG