Lidhje

Përfundoi dita e dytë e konferencës së donatorëve për Irakun - 2003-10-24


Premtimet për dhënien e parave për rindërtimin e Irakut filluan të konkretizohen në Konferencën e Donatorëve që u zhvillua në Madrid, pasi delegatët dëgjuan të dhënat lidhur me nevojat e mëdha për strehim dhe kujdes shëndetësor për popullin irakian. Megjithëse shuma për të cilën donatorët janë zotuar se do të japin për Irakun, është më e vogël se ajo që ka kërkuar Banka Botërore, zyrtarët që moren pjesë në konferencë thonë se ajo përbën të paktën një hap në drejtimin e duhur.

Vendi i parë që u zotua sot se do të japë ndihmë, ishte Italia, e cila ofroi 230 milionë dollarë për tre vjet. Pastaj, Japonia, e cila kishte premtuar se do të jepte 1,5 miliardë dollarë grante, njoftoi në Konferencën e Madridit se do të ofronte edhe 3, 5 miliardë dollarë në formën e huave me interes të ulët, deri në vitin 2007.

Pas kësaj, i erdhi radha fqinjëve të Irakut. Arabia Saudite u zotua se do të japë 1 miliardë dollarë, gjysmën në formë huash dhe pjesën tjetër në formën e kredive për eksporte. Edhe Kuvajti njoftoi se do të japë 1 miliardë dollarë, ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe premtuan 215 milionë dollarë.

Ndihmat për Irakun do të përdoren kryesisht për rindërtimin e infrastrukturës së vendit, të dëmtuar nga tre luftëra, 12 vjet me sanksione dhe 30 vjet nën diktaturë. Por, sipas kryeministrit spanjoll Jose Maria Aznar, synimi i konferencës së Madridit nuk ishte vetëm mbledhja e fondeve për ndërtimin e spitaleve dhe shkollave apo sigurimi i ujit të pijshëm, për të cilët kanë aq shumë nevojë irakainët.

”Ne nuk po zotohemi thjesht për rindërtimin material,” thotë nëpërmjet përkthyesit zoti Aznar. ”Ne duam t’i kthejmë dinjitetin popullit irakian dhe qëndrueshmërinë në rajon. Ne duam të rikthejmë edhe besueshmërinë tonë, si vende me shoqëri të lira dhe që e duan paqen.”

Zoti Aznar ka qenë një aleat i fuqishëm i Shteteve të Bashkuara gjatë luftës në Irak. Por vendet evropiane të cilat e kundërshtuan luftën, si Franca dhe Gjermania, nuk janë të gatshme për të ndihmuar në rindërtimin e Irakut, pa pakësimin e rolit të Shteteve të Bashkuara.

Horst Kohler, Drejtori i Fondit Monetar Ndërkombëtar thotë se Iraku ka nevojë jo vetëm për ndihmat e menjëhershme të rindërtimit. Ai thotë se ai ka gjithathu nevojë për qëndrueshmëri ekonomike dhe reforma, që do të bëjnë të mundur afrimin e investitorëve, dhe uljen e papunësisë, që aktualisht prek 60 për qind të popullsisë.

”Këto rezultate nuk do të mund të realizohen brenda një nate në Irak, ku ekonomia është dëmtuar rëndë. Kjo do të kërkojë ndërmarrjen e reformave të rëndësishme për ekonominë dhe zhvilllimin, për institucione të fuqishme dhe procesin e formulimit të politikave. Dhe të gjithë ne e dimë se këto reforma do të kenë sukses vetëm në se pushteti u kthehet irakianëve,” - tha zoti Kohler.

Administratori amerikan në Irak, Paul Bremer, tha se Iraku duhet të ketë kushtetutën e vet dhe pastaj të zgjedhë një qeveri të re, para se koalicioni nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara, t’ia kalojë pushtetin irakianëve. Megjithëse thotë se procesi ka hyrë në rrugë të mbarë, zoti Bremer pranon se mosmarrëveshjet lidhur me luftën dhe pasojat e saj ende vazhdojnë.

”Vendet e përfaqësuara në këtë konferencë mund të kenë patur mosmarrëveshje në të shkuarën. Ne mund të mos jemi dakord për një çështje, apo një tjetër, por me praninë tonë sot, ne lemë të kuptohet se jemi të një mendimi për një çsëhtje kryesore dhe kjo është se populli irakian ka nevojë për ndihmë, për të realizuar shpresat e tij për të ardhmen,” tha zoti Bremer.

Ndihmat për Irakun, për të cilat vendet e ndryshme u zotuan se do t’i japin në Konferencën Madridit, do të shkojnë në një fond donatorësh, të organizuar nga Banka Botërore dhe Kombet e Bashkuara. Shuma prej 20 miliardë dollarësh për të cilën janë zotuar se do të japin Shtetet e Bashkuara, do të përfshihen në një fond të veçantë.// lk //

XS
SM
MD
LG