Lidhje

Shqipëri: Presidenti Moisiu kritikon të metat në procesin zgjedhor - 2003-10-25


Presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu i bëri thirrje të shtunën kolegjit zgjedhor të gjykatës së apelit dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të shqyrtojnë me profesionalizëm ankesat e forcave politike për procesin zgjedhor të 12 tetorit për pushtetin vendor.

Zoti Moisiu tha gjatë një mbledhjeje me Këshillin e Lartë të Drejtësisë se gjatë këtyre zgjedhjeve u shfaqën disa probleme shqetësuese, veçanërisht me listat e votuesve.

“Fatkeqësisht listat e zgjedhësve dhe disa probleme të tjera të natyrës së administrimit të procesit zgjedhor, janë bërë mjaft shqetësuese në zgjedhjet vendore të 12 tetorit. Veçanërisht ky problem ka lindur në Tiranë dhe në Durrës”, tha Presidenti Moisiu.

Presidenti i kërkoi edhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që jo vetëm të punojë me paanshmëri, por edhe të ndëshkojë komisionerët që kanë abuzuar me ligjin.

Ai tha se puna e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Kolegjit Zgjedhor do të rrisë besimin e qytetarëve shqiptarë dhe të institucioneve ndërkombëtare tek institucionet vendore të vendit dhe në imazhin e Shqipërisë.

Komentet e Presidentit Moisiu për zgjedhjet vijnë ndërkohë që ka pasur njoftime kontradiktore rreth një takimi të tij me kryeministrin Fatos Nano.

Ndërsa njoftimi i zyrës së shtypit të presidencës bënte të ditur se zoti Moisiu ka shprehur mendimin se parlamenti është vendi ku duhet provuar shkalla e mbështetjes së maxhoranës për Kryeministrin, zëdhënës i kryeministrit Aldrin Dalipi tha në një konferencë për shtyp se kishte informacione krejt të ndryshme për këtë takim.

“Në këtë takim nuk ka patur shprehje të tilla si ‘kërkoi’ apo ‘thirri’. Ka qenë një takim në frymën e mirëkuptimit mbi të gjitha çështjet. Çdo qëndrim institucional duhet t’i referohet ligjeve dhe kushtetutës së vendit dhe jo njoftimeve që tashmë i konsiderojmë më shumë se të çuditshme”, tha zoti Dalipi.

Në një konferencë të posaçme shtypi doli edhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, zoti Gramoz Ruçi. Në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve lidhur me njoftimet e fundit të zëdhënësit të presidencës, ai vuri në dukje se Partia Socialiste vazhdon të mbizotërojë shumicën parlamentare.

Konferencat e njëpasnjëshme të shtypit, vijnë në valën e një situate të nderë në jetën politike të vendit, pas rrëzimit në parlament të dy kandidaturave ministrore të propozuara nga Kryeministri socialist Fatos Nano.

Zoti Nano është shprehur i vendosur që të vazhdojë punën në qeverisje, ndërsa po shkëmben akuza të ashpra me rivalin e tij brenda partisë, ish-kryeministrin Ilir Meta.//kk//

XS
SM
MD
LG