Lidhje

Hamas pranon ftesën kryeministrit palestinez për të marrë pjesë në bisedimet e paqes - 2003-10-26


Grupi Hamas pranoi një ftesë nga Kryeministri palestinez, Ahmed Kureia, për të marrë pjesë në bisedimet e paqes. Zyra e zotit Kureia nuk pranoi të jepte hollësi rreth ndonjë takimi për ndaljen e sulmeve kundër izraelitëve, por theksoi përsëri interesimin e Autoritetit Palestinez për të siguruar mbështetjen e Hamasit për armëpushim. Njoftime rreth bisedimeve të mundshme filluan të qarkullojnë dy ditë pasi ky grup ekstremist mori pjesë në një sulm, në të cilin mbeten të vrarë një ekstremist dhe tre ushtarë izraelitë, përfshirë dy gra, në një vendbanim hebraik në Rripin e Gazës. Izraeli reagoi të djelën ndaj këtij sulmi duke hedhur në erë tri ndërtesa të papërfunduara shumëkatëshe palestineze, të cilat ishin përdorur për planifikimin e sulmit kundër vendbanimit Netzarim.

Ndërkohë, kryeministri izraelit, Ariel Sharon, i tha kabinetit të tij si kishte këshilluar ministrin e jashtëm që t’u kërkojë qeverive evropiane të mos mbështesin një plan paqeje për Lindjen e Mesme të hartuar nga politikanë palestinezë dhe udhëheqës të opozitës izraelite.

Plani i mbështetur nga Zvicra, sipas të cilit palestinezëve do t’u kalohej kontrolli mbi pjesën më të madhe të Bregut Perëndimor, është propozuar si alternativë ndaj planit të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara që parashikon krijimin e një shteti palestinez përkrah Izraelit. //az//

XS
SM
MD
LG