Lidhje

Zyrtarët e Serbisë i kërkojnë UNMIK-ut ”gjykimin e krimeve të kryera në Kosovë” kundër serbëve - 2003-10-26


Ministri serb i Drejtësisë, Vlladan Batiç, në një letër të hapur drejtuar Administratorit të OKB-së për Kosovën, Hari Holkeri, të cilën e publikoi të djelën përmes mediave elektronike, kërkon që zoti Agim Çeku të shkarkohet nga posti i komandantit të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, sepse ”është komprometuese për bashkësinë ndërkombëtare që njeriu i cili ka kyer krime, të jetë në një post kaq të lartë”.

Ministri Batiç kërkon gjithashtu që zotërinjve Agim Çeku, Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj t’u merren pasaportat dhe t’u pengohet largimi nga Kosova.

Në letër thuhet se Ministria serbe e Drejtësisë ka kërkuar tri herë zyrtarisht nga ish-shefi i UNMIK-ut, Mihail Shtajner, që ata t’u dorëzohen autoriteteve serbe për vuajtjen e dënimit. Mirëpo, UNMIK-u kurrë nuk ka kërkuar ndonjë dokumentacion ”për këto apo krimet të tjera”, ndonëse Ministria serbe e Drejtësisë, me vetë iniciativën e saj, ia ka dorëzuar UNMIK-ut të gjitha ato që i ajo i ”quan prova voluminoze”, thuhet në letër.

Zoti Batiç thekson se ”veprat penale për të cilat ngarkohen zotërinjtë Çeku, Thaçi dhe Haradinaj, janë kryer para ardhjes së UNMIK-ut në Kosovë, për ç’ka procedimi i tyre është në kompetencën e organeve gjyqësore të Serbisë”. Ai rikujton se zoti Thaçi është dënuar nga gjykata serbe në vitin 1997 për terrorizëm dhe se kundër zotërinjve Çeku dhe Haradinaj po zhvillohen hetime: kundër zotit Çeku për gjenocid, ndërsa kundër zotit Hardinaj për terrorizëm.

”Në qoftë se mbeteni në qëndrimin tuaj se për këta persona janë kompetente organet gjyqësore të Kosovës, atëherë arrestojini dhe gjykojini”, thekson Batiç në letër.

Ndërkaq, Prokurori i Posaçëm i Serbisë për Krimet e Luftës, Vlladimir Vukçeviç, deklaroi për mjetet e shtypit në Beograd se është "përpunuar" rasti i varrezave masive me trupat e shqiptarëve të Kosovës në Batajnicë, afër Beogradit dhe po vazhdojnë hetimet ndaj personave të panjohur. ”Në këtë rast kanë qenë të implikuar shumë njerëz, përfshirë edhe shoferët, të cilët nuk kanë raportuar për këto raste, edhe pse kanë patur dijeni për ç’ka ka ndodhur dhe nga janë kufomat”, thotë prokurori Vukçeviç.

Ditë më parë Zyra e Komisionerit të lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Beograd ftoi autoritet serbe të formojnë një komision të posaçëm, i cili do të merrej hetimet mbi varrezave masive në Serbi. ”Ky komision do të përbëhej nga specialistë të pavarur dhe paanshëm, si dhe do të kryente hetime të plota”, tha zonja Lori Vajzberg, shefe këtij Misioni, duke theksuar posaçërisht varrin masiv në Batajnicë pranë Beogradit me afër 900 kufoma shqiptarësh, por edhe varrezat në fshatrat Petrovë dhe Peruçac.

Këto varre janë zbuluar para dy vjetësh, kurse autoritetet serbe deri më tani nuk kanë nisur asnjë procedurë gjyqësore. //az//

XS
SM
MD
LG