Lidhje

Ambasadori Jeffrey paralajmëron: Krimi po shkatërron Shqipërinë - 2003-10-27


Ambasadori amerikan në Tiranë James Jeffrey përsëriti sot se krimi po shkatërron Shqipërinë. Ambasadori amerikan i bëri këto komente në hyrje të një trajnimi me prokurorë dhe gjyqtarë në shkollën e magjistraturës. Ambasadori Jeffrey deklaroi se mesazhi për baronët e botës së krimit ishte i qartë: ata njihen se kush janë dhe se përpjekjet për t’u dhënë ndëshkimin e merituar nuk do të rreshtnin.

Një vit më parë, po në shkollën e magjistraturës në Tiranë, ambasadori amerikan James Jeffrey kishte deklaruar se krimi po shkatërronte Shqipërinë. Sot, përpara një grupi prokurorësh dhe gjyqtarësh, ambasadori Jeffrey u shpreh se ishte i detyruar të pohonte se fatkeqësisht kjo mbetej akoma e vërtetë: Përsëri krimi po shkatërron vendin tuaj dhe po sfidon aftësinë që duhet të ketë vendi juaj për tu future në institucionet perëndimore. Dhe shembull më i fundit për këtë gjë është një seri vrasjesh, të cilat ende nuk janë zgjidhur dhe që kulmuan me sulmin e cartur mbi shoferin e prokurorit të Përgjithshëm. Këto krime - tha ambasadori Jeffrey - ilustrojnë seriozitetin e problemit".

Sipas tij bashkëpunimi me qeverinë shqiptare, prokurorët, gjyqtarët, policinë apo dhe partitë politike është shumë i mirë por megjithatë mbetet ende punë për t’u bërë në luftë kundër krimit dhe korrupsionit. Ai shtoi se edhe publiku shqiptar duhet t’u dërgojë udhëheqësve të vet politik mesazhin për më shumë veprime kundër krimit. "Suksesi i arritur në luftën kundër trafikut të qënive njerëzore, tha ambasadori amerikan është tregues i faktit se cfarë mund të realizohet dhe se i njëjti përparim duhet bërë edhe në fusha të tjera".

"Krimi dhe korrupsioni, në shumë vende të tjera - shpjegoi ambasadori Jeffrey - ndotin biznesin dhe procesin politik me para të pista dhe se kjo nuk duhet të lejohet të ndodhë në Shqipëri", duke shtuar se kishte një mesazh të qartë për baronët e botës së krimit: "Ne e dimë apo shumë shpejt do e zbulojmë se cilët jeni. Qeveria ime, partnerët tanë europianë dhe shqiptarët janë vënë pas jush dhe ne nuk do të rreshtim derisa ju të shkoni atje ku ju takon dhe krimi të mos kërcënojë më këtë vend dhe këtë rajon", deklaroi ambasadori amerikan Jeffrey.

//rd//

XS
SM
MD
LG