Lidhje

Irak: vriten 34 vetë. Presidenti Bush reagon mbi shperthimet. - 2003-10-27


Një zyrtar policie në Bagdat thotë se 34 persona u vranë nga një seri shpërthimesh në kryeqytetin irakian.

Shpërthimi më i rëndë ishte ai pranë një ndërtese që përdoret nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar. Të paktën 12 persona u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën.

Rojet thanë se bomba ishte vendosur në një makinë me shenjat e ambulancës, e cila u përplas në një mur mbrojtës.

Pothuajse në të njëjtën kohë, afër stacioneve të policisë në pika të ndryshme të Bagdadit ndodhën katër shpërthime të tjera.

Sipas zyrtarëve të policisë irakiane, gjithsej u vranë 34 vetë dhe u plagosën 224.

Në njërin prej incidenteve, një polic ushtarak amerikan dhe tre policë irakianë u vranë nga shpërthimi i një kamioni, kur ai po lëvizte me shpejtësi drejt një stacioni policie. Shumë civilë irakianë u plagosën.

Shpërthimet ndodhin në ditën e parë të muajit të shenjtë mysliman të Ramazanit.

Duke reaguar ndaj incidenteve të sotme, Presidenti Bush tha se sa më shumë sukses që Shtetet e Bashkuara arrijnë në terren, aq më shumë do të vihen ato në shënjestër të sulmeve.

Presidenti i bëri komentet në Shtëpinë e Bardhë pasi i uroi mirëseardhjen administratorit të Shteteve të Bashkuara në Irak, Paul Bremer.

Presidenti Bush tha se në Irak ka terroristë që janë të gatshëm të vrasin cilindo, por shumica dërrmuese e irakianëve janë kundër terrorizmit. Ai tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë kursin e tyre në Irak.

Presidenti dhe zoti Bremer theksuan që të dy se në Irak po bëhet përparim. Presidenti përsëriti gjithashtu qendrimin e tij se ndihma amerikane për Irakun duhet të jetë në formë grantesh dhe jo kredish.

Ai ka kërcënuar se do ti verë veton projektligjit të Kongresit për këtë çështje nëse fondet që miratohen për operacionet ushtarake dhe për rindërtimin e Irakut e të Afganistanit janë në formë kredish.//ii

XS
SM
MD
LG