Lidhje

Prodhimi i pavarur i filmave - 2003-10-28


13 vjetët e fundit, prodhimi i pavarur i filmave ka lulëzuar në Shtetet e Bashkuara. Por sa kushton të prodhosh një film pa patur mbështetjen e ndonjë studioje të njohur të Holliwoodit? Dave Kaufmanit, i cili aspiron të bëhet producent, tre vjetët e fundit i ka kaluar jo duke shkruar, xhiruar apo redaktuar filmin e tij, por duke grumbulluar fonde për të.

Dave Kaufmani është 34 vjeç dhe jeton në bodrumin e një ndërtese në një qytezë periferike të shtetit Minesota bashkë me të ëmën. Me flokë, mustaqe e mjekër të gjatë, ai duket sikur ka qenë duke fjetur jashtë. ”Unë jam prodhues i pavarur filmash dhe romancier”, prezantohet ai. Për dy vjet e gjysëm është përpjekur të grumbullojë 1 milionë e 5oo mijë dollarë për prodhimin e filmit me titull ”Lake Desire”.

Megjithëse zoti Kaufman e quan veten producent i pavarur, është pothuajse i vetëm në këtë projekt. Filmi ka një grup xhirimi prej 9 vetësh e një grup aktorësh ku bëjnë pjesë dy figura të njohura të televizionit: Corbin Bernsen dhe Darren Burrows.

Të dy aktorët nënshkruan për të luajtur role në këtë filmi në vitin 2001, kur u takuan me zotin Kaufman në një festival filmash të prodhuar nga producentë të pavarur. Në atë kohë, projekti përbëhej nga diçka më tepër se një skenar dhe një preventiv. Por mungonte një element tepër i rëndësishëm: paratë. Dhe zoti Kaufman ende nuk ka filluar të merret me shkrime, prova apo xhirime, por po përpiqet të bindë njerëzit të investojnë në filmin e tij. ”Jam tepër i zënë me këtë punë tani. Tërë ato telefonata e biseda gjithë ditën me shumë njerëz. E kjo punë vazhdon prej tre vjetësh”. Një aksion i filmit kushton 15 mijë dollarë dhe kur investitorët nënshkruajnë, ata paralajmërohen se xhirimi nuk do të fillojë derisa të sigurohet i gjithë buxheti, pra, do të kalojnë vite deri sa ata të shohin ndonjëfitim nga investimi i tyre.

Producenti Kaufman e dinte që në fillim se mbledhja e fondeve mund të zgjaste dhe se do të duheshin para për juristë, për telefonata e tjera, e për më tepër, prodhuesve të pavarur u duhet edhe të hanë për të jetuar. Është normale që shtëpitë filmike të marrin kredi për të mbuluar gjithë këto shpenzime, por në këtë aspekt filmi ”Lake Desire” ndryshon nga të tjerët. Në vend që të hynin në borxh, prodhuesve të filmit u erdhi ideja e të ashtuquajturave ”karta për yjet e kinemasë”. ”Është fjala për një variant të përmbledhur të skenarit me autograf bashkë me një kartë identifikimi, të cilën blerësit mund ta përdorin për të marrë pjesë në xhirim. Ata do të jenë të parët që thirren për role figurantësh dhe automatikisht përfshihen në lotorinë që kemi organizuar për të grumbulluar fonde për filmin. Karta të tilla janë shitur shumë shpejt”, thotë ai.

Karta dhe skenari me autograf kushtojnë 500 dollarë për person, kurse për bizneset 1000.

Por edhe një afarist i mprehtë si Dave Kaufman nuk mund t’i shpëtojë ngadalësimit të veprimtarisë në ekonominë amerikane. 11 gushti i këtij viti, data e caktuar për fillimin e xhirimit ka kaluar dhe për këtë është caktuar një datë tjetër për verën e ardhshme. Kjo është hera e tretë që shtyhet data e fillimit të xhirimeve, por zoti Kaufman mbetet optimist dhe thotë se kjo është normale në industrinë filmike.

Ndërkohë, për ta mbajtur gjallë interesin e publikut, ai po përpiqet të shesë librin me të njëjtin titull ”Lake Desire” duke u ofruar kalimtarëve nëpër trotuar një kopje me autografin e tij. Megjithatë edhe libri nuk duket se ka fat më të mirë se vetë projekti i filmit.

//rd//

XS
SM
MD
LG