Lidhje

Irak: të paktën 34 të vrarë dhe më shumë se 200 të plagosur - 2003-10-28


Të paktën 34 persona u vranë dhe më shumë se 200 të tjerë u plagosën nga një seri shpërthimesh përjashta Kryqit të Kuq dhe 3 stacioneve policore në Bagdad.

Shpërthimet ndodhën dje në mëngjes brënda 45 minutash nga njeri tjetri përreth kohës së fillimit të muajit të shenjtë të Ramazanit.

Zyrtarë amerikanë dhe irakianë thanë se sulmet dukeshin se ishin të bashkërenduara. Zyrtarë amerikanë dyshojnë se shpërthimet u kryen nga persona të huaj dhe jo irakianë, që kundërshtojnë koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Në Washington, presidenti Bush iu përgjigj shpërthimeve, duke thënë se sa më shumë sukses që Shtetet e Bashkuara korrin në teren, aq më shumë do të vihen trupat amerikane në shënjestër të sulmeve.

Presidenti Bush tha se sa më shumë që shtohet numri i irakianëve të lirë, sa më shumë që irakianët të kenë rrymë elektrike, shkolla dhe vende pune, aq më të dëshpëruar bëhen kryengritësit. Ai u zotua se nuk do të tërhiqet nga operacionet në Irak.

Sekretari amerikan i shtetit Colin Powell tha se shpërthimet e djeshme në Bagdad nuk do të ndalojnë operacionet amerikane të rindërtimit të Irakut.

Sekretari Powell tha se nuk është e qartë në se sulmet me disa makina bombë, përfshirë edhe atë që kishte në shënjestër Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, ishin pjesë e veprimtarive terroriste, që përkuan me fillimin e muajit të shenjtë të Ramazanit, apo fillimi i një fushate më të gjerë. Megjithatë, ai shtoi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë përpjekjet e rindërtimit dhe shpreson që edhe organizatat ndërkombëtare e kompanitë kontraktuese private të bëjnë të njëjtën gjë.

“Ne shpresojmë që kompanitë kontraktuese, organizatat jo-qeveritare, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, Kombet e Bashkuara, do të bëjnë një vlerësim të konsiderueshëm të gjendjes së tyre të sigurisë dhe shpresoj që ato të arrijnë në përfundimin se qëndrimi në Irak është një hap i duhur. Këto organizata janë të nevojshme, puna e tyre është e domosdoshme. Dhe në se ato detyrohen të largohen, atëhere terroristët fitojnë.”

Zoti Powell e pranoi se dita e djeshme ishte një “24 orësh i keq”, por shtoi se administrata e presidentit Bush është e vendosur që të mos i lejojë sulmet, të cilat ai ia atribuoi mbeturinave të regjimtit të Sadam Huseinit, që t’i mohojnë popullit irakian paqen dhe demokracinë, të cilat, tha ai, irakianët i dëshirojnë dhe i meritojnë.

//ze//

XS
SM
MD
LG