Lidhje

100 dokumentat më të rëndësishme në historinë amerikane - 2003-10-29


Amerikanëve u pëlqejnë listat, që nga listat për librat më të shitur e deri tek fjalët që shqiptohen më shumë gabim. Tani një komision i posaçëm historianësh në Arkivat Kombëtare ka krijuar listën e 100 dokumentave më të rëndësishme në historinë amerikane.

Lista fillon me rezolutën Lee të vitit 1776, me anë të së cilës delegati i Virginias në Kongresin Kontinental Richard Henry Lee propozoi pavarësinë e Kolonive Amerikane dhe arrin pikën kulmore me Aktin e së Drejtës për të Votuar të vitit 1965, që garantoi të drejtën e votës për të gjithë qytetarët.

Duke përzgjedhur 100 dokumentat, arkivisti i Shteteve të Bashkuara, John Carlin, filloi një nismë në historinë amerikane. Ja ç’thotë ai:

“Ne përzgjodhëm 100 dokumenta, për të cilat menduam se luajtën rol në krijimin e fizionomisë së vendit. Prej tyre, cilat janë 10 më të rëndësishmet? Ose a janë dakord njerëzit me zgjedhjen tonë? Mos kemi harruar ndonjë gjë pa përfshirë? Ne do të lëmë njerëzit të vendosin për një gjë të tillë, duke na shkruar”, thotë ai.

Revista e përjavshme US News and World Report, është një nga organet e angazhuara në këtë nismë që mund të kthehet në një debat të gjallë. Çdokush mund të gjejë të gjitha dokumentat në faqen e internetit të kësaj reviste, t’i lexojë dhe të hedhë votën e vet.

Senatori i Shtetit të Tenesisë, Lamar Alexandër, ish-mësues thotë se i ashtuquajturi Projekti i Historisë është një shans i shkëlqyer për studentët dhe mësuesit në gjithë vendin.

“Atyre mund t’u shkojë mendja për 10 dokumenta që nuk janë përfshirë, ose 10 që nuk duhej të ishin futur në listë. Kështu mund të fillonte një lëndë historie amerikane. E përshëndes këtë nismë që vë në pah mësimin e historisë amerikane në shkollat tona dhe kështu fëmijët tanë të mësojnë se ç’do të thotë të jesh amerikan”, thekson zoti Aleksandër.

Dokumentat janë vënë në faqet e internetit që në shtator dhe rreth 100 mësues në ditë i përdorin ato në orët e mësimit.

Dokumentat historike nuk janë thjesht fjalë në fletë të vjetra. Senatorja e shtetit të Washingtonit, Patty Murray, thotë se në bazë të tyre bëhen çdo ditë debate në Kongres:

“Mendoj se veçanërisht në këtë moment të historisë sonë, në një kohë shumë të vështirë si brenda vendit me ekonominë dhe në arenën ndërkombëtare me Irakun, është e rëndësishme që të mos harrojmë parimet bazë mbi të cilat është ngritur ky vend”, thotë senatorja Murray.

Rezultatet e votimit të popullit dhe 10 dokumentat të gjykuar si më të rëndësishmet, do të shpallen më 15 dhjetor, Dita e Kartës së të Drejtave. Deri atëherë, diskutimet mbi 100 dokumentat më të rëndësishme në historinë e Amerikës do të vazhdojnë në klasa, biblioteka dhe në internet.//kk//

XS
SM
MD
LG