Lidhje

FMN: ekonomia shqiptare pritet të rritet me 6 për qind deri në fund të  vitit - 2003-10-29


Ekonomia shqiptare pritet të ketë një rritje prej 6 përqind në fund të këtij viti, ndërsa inflacioni do të jetë në nivelet e parashikuara të 2-4 përqind. Ky është parashikimi në të cilin kanë arritur institucionet financiare të Shqipërisë dhe Fondi Monetar ndërkombëtar. Një mision i këtij organizmi ishte në Shqipëri dy javët e fundit për të vlerësuar ecurinë e programit të uljes së varfërisë e nxitjes së rritjes ekonomike, si dhe për të diskutuar mbi politikat ekonomike dhe buxhetin e vitit të ardhshëm.

Të dhënat e fundit zyrtare tregojnë se ekonomia shqiptare vazhdon të ruajë stabilitet dhe të sigurojë një rritje të kënaqshme. Në përfundim të bisedimeve me misionin e fondit monetar ndërkombëtar, Ministri i Financave Kastriot Islami deklaroi sot se zhvillimet makroekonomike janë inkurajuese:

"Gjatë diskutimeve me misionin u arrit në përfundimin se zhvillimet makroekonomike gjatë vitit 2003 janë inkurajuese, duke vlerësuar se rritja ekonomike deri në fund të vitit do të arrijë në 6 përqind, duke shënuar progresin vjetor më të lartë në këto 5 vitet e fundit, duke mbajtur një normë të inflacionit deri në fund të shtatorit 2003, deri në 2.7 përqind, përmes një politike monetare të kujdesshme, duke përmirësuar ballancën tregtare përmes rritjes së eksporteve dhe shërbimeve. Për rrjedhojë, as zhvillimet elektorale e as rrisqet globale nuk kanë prekur tendencën progresive të rritjes së stabilitetit makroekonomik",deklaroi Islami.

Kjo situatë bëri që sot, Banka e Shqipërisë të vendosë edhe uljen e normave të interesit. Sipas Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Shkçëqim Cani, kuadri i përgjithshëm makroekonomik i vendit, i analizuar në të gjithë aspektet e tij, përbën një argument të rëndësishëm në mbështetje vendimit të sotëm.

"Më konkretisht zhvillime të tilla, si ecuria pozitive e treguesve monetarë, pritshmëritë pozitive për to në lidhje me fundin e vitit 2003, mbajtja nën kontroll e deficitit buxhetor, presioni që ushtrojnë mbi kursin e këmbimit normat e interesit në lekë, të kombinuara me pritshmëri optimiste në lidhje me ecurinë e inflacionit deri në fund të vitit 2003, (zhvillimet e verifikuara në çmimet e produkteve bujqësore për 3 javët e para të tetorit 2003 rrisin optimizmin), përbëjnë argumente të qenësishme për justifikimin e këtij veprimi", shpjegoi guvernatori Cani.

Por nëse treguesit kryesorë makroekonomikë qëndrojnë në nivele optimiste, sërish thembra e Akilit duket se mbeten tatimet dhe doganat. Për të dytin vit radhazi, të ardhurat nuk arrijnë parashikimet, ndonëse sipas shefit të misionit të Fondit Monetar Hossein Samiei, ka një rritje domethënëse në krahasim me vitin 2002.

"Ne kemi arritur një marrëveshje lidhur me buxhetin e vitit 2004. Duke parë vështirësitë në rritje në mbledhjen e të ardhurave, autoritetet dhe misioni ranë dakort lidhur me nevojën për objektiva të kujdesshëm për të ardhurat dhe per përpjekje për të ruajtur shpenzimet në fushat me përparësi, veçanërisht në shëndetësi dhe arsim, nëpërmjet një planifikimi sistematik të shpenzimeve",- tha zoti Samiei.

Sipas shefit të misionit të FMN-së, politikat kyçe për vitin e ardhshëm do të synojnë në rritjen e efiçencës së shpenzimeve publike, përmirësimin e qeverisjes, reduktimin e aktivitetit jo-zyrtar, përmirësimin e klimës së biznesit dhe sigurimin e progresit në modernizimin e sektorit energjetik.// lk //

XS
SM
MD
LG