Lidhje

Koreja e Veriut, dakord në parim për bisedime shumëpalëshe - 2003-10-30


Koreja e Veriut ka rënë dakord në parim të marrë pjesë në raundin e dytë të bisedimeve shumëpalëshe mbi programin e saj bërthamor.

Njoftimi u transmetua të enjten nga radioja koreanoveriore, pas bisedimeve në Phenian midis udhëheqësit koreanoverior, Kim Jong Il dhe kryetarit të Asamblesë Popullore të Kinës, Wu Banguo.

Shtetet e Bashkuara dhe Japonia e mirëpritën lajmin. Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë u tha gazetarëve se procesi shumëpalësh ofron shpresat më të mira për të bindur Korenë e Veriut që të heqë dorë nga programi i saj bërthamor.

Data për rifillimin e mundshëm të bisedimeve gjashtëpalëshe, në të cilat marrin pjesë dy Koretë, Shtetet e Bashkuara, Kina, Rusia dhe Japonia ende nuk është caktuar.

Raundi i parë që u zhvillua në Pekin në muajin gusht, përfundoi pa arritjen e ndonjë rezultati të rëndësishëm. Mjetet koreanoveriore të informimit thanë se Phenaini është i gatshëm për bisedime të mëtejshme nëse ato çojnë në atë që ato e cilësuan si zgjidhje të bazuar në parimin e veprimeve të njëkohëshme, por nuk dhanë hollësi të tjera.

Ndërkohë, televizioni shtetëror kinez tha se zoti Kim ka pranuar një ftesë nga Presidenti Hu Gjintao për të vizituar Kinën.//kk//

XS
SM
MD
LG