Lidhje

Arrestohet një nga krerët e organizatës Hakmarrja për Drejtësi - 2003-10-30


Burime zyrtare të policisë shqiptare njoftuan të enjten për arrestimin e Orik Shytit, i njohur si një prej krerëve të organizatës kriminale Hakmarrje për Drejtësi dhe një prej personave kryesorë të dyshuar për atentatin ndaj shoferit të Prokurorit të Përgjithshëm Theodhori Sollaku.

Arrestimi është bërë rreth orës 11:00 paradite në kryeqytetin belg, Bruksel pas një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Interpoli shqiptar.

Të njëjtat burime saktësojnë se në kërkim janë edhe anëtarë të tjerë të kësaj organizate, të cilët mendohet se gjenden ende në Shqipëri.

Hakmarrja për Drejtësi u zbulua dhe u përmend për herë të parë nga autoritetet policore në vitin 1996. Mbi të rëndojnë një seri akuzash për vrasje, grabitje, rrëmbime, mes së cilave edhe hedhja në erë e supermarketit të ish-kompanisë Vefa në Tiranë, në vitin 1996, si edhe vrasja po atë vit e drejtorit të burgjeve Bujar Kaloshi.

13 personat të konsideruar anëtarë të kësaj organizate u arrestuan për herë të parë në tetor të vitit 1996, por trazirat e marsit të vitit 1997 bënë që të gjithë të arratiseshin nga burgu.

Megjithatë hetimet dhe procesi gjyqësor ndaj tyre vazhduan deri këtë vit, kur gjykata e Tiranës e pushoi çështjen. Por një vendim i mëvonshëm i Gjykatës së Apelit kërkoi hetime të tjera dhe la në fuqi urdhrat e arrestit.//kk//

XS
SM
MD
LG