Lidhje

Holkeri: gjendja në Kosovë është përmirësuar ndjeshëm - 2003-10-30


Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara shqyrtoi sot zhvillimet më të fundit në Kosovë. Në fjalën e tij, kryeadministratori i Kosovës, Harri Holkeri tha se gjendja e përgjithshme atje ka pësuar përmirësime të dukshme.

Por, ai shtoi se sulmet kundër pakicës serbe kanë dëmtuar imazhin e Kosovës dhe kanë vështirësuar marrëdhëniet ndërentike. Ai tha se është i bindur që shumica e banorëve të Kosovës janë kundër dhunës, por shprehu keqardhje që sulmet kundër pakicës serbe nuk dënohen me forcë nga shumica shqiptare.

Kryeadministratori Holkeri tha se ua kishte bërë të qartë udhëheqësve të Kosovës se nuk është e mjaftueshme që të bëhen vetëm deklarata. Udhëheqësit, tha ai, duhet të zhvillojnë takime me popullin kudo në Kosovë dhe të kundërshtojnë me vepra sulmet kundër serbëve.

Në fjalën e tij, zoti Holkeri u kushtoi rëndësi të posaçme përpjekjeve për fillimin e dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit. Ai përgëzoi Presidentin Rugova dhe kryetarin e parlamentit Daci për pjesëmarrjen e tyre në bisedimet e Vjenës, ndërsa shprehu keqardhje për mospjesmarrjen e kryeministrit Rexhepi.

Ai theksoi se dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit është i domosdoshëm dhe është një nga kërkesat që duhet të përmbushet para se të shqyrtohet statusi përfundimtar i Kosovës. Ai i bëri thirrje Kryeministrit Rexhepi që të mbajë qëndrim konstruktiv dhe që qeveria e tij të angazhohet mënjëherë në procesin për ngritjen e grupeve të punës për bisedimet mbi çështjet teknike.

Zoti Holkeri tha se 4 grupet e punes duhet të krijohen mënjëherë dhe të fijllojnë bisedimet në nivelin e ekspertëve. Ai i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit dhe mbarë bashkësisë ndërkombëtare që të mbeshtesin fuqishëm procesin e dialogut. Zoti Holkeri gjithashtu tha se disa udhëheqës shqiptarë kanë kushtëzuar pjesëmarrjen në dialogun me Beogradin me transferimin e kompetencave dhe krijimin e strukturave të reja qeveritare.

Ai deklaroi se dialogu Prishtinë-Beograd nuk mund të kushtëzohet me asnjë çështje tjetër. Kryeadministratori i Kosovës tha se transferimi i kompetencave jo të rezervuara do të vazhdojë. Por, përsa u përket kërkesave të udhëheqësve shqiptarë për transferimin e komptetencave të rezervuara, ai tha se kjo mund të arrihet vetëm me vendim të Këshillit të Sigurimit.

Ai shtoi se është i gatshëm të marrë parasysh krijimin e struktuvare të reja po gjithnjë në përputhje me rezolutën e Këshillit të Sigurimit. Zoti Holkeri tha se po punohet me kryeministrin për një plan të përbashkët për institucionalizimin e standardeve, që kosovarët të jenë në gjendje t’i plotësojnë ato. Ai i bëri thirrje Beogradit që të eliminojë strukturat paralele. Ekzistenca e strukturave të pautorizuara, si gjykatat serbe, është e papranueshme, tha zoti Holkeri.

Përveç mungesës së sigurisë për pakicat, problemve politike dhe mosmarrëveshjeve lidhur me çështjen e dialogut me Beogradin, zoti Holkeri tha se Kosova përballët më sfida të tjera të vështira si varfëria, papunësia e madhe dhe krimi.

Ambasadori i Italisë, Marcello Spatafora, foli në Këshillin e Sigurimit në emër të Bashkimit Evropian, pasi Italia është kryetarja e rradhës e Bashkimit Evropian. Ambasadori Spatafora ripohoi mbeshtetjen e plotë të Bashkimit Evropian për zotin Holkeri dhe u bëri thirrje shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë që të bashkëpunojnë në mënyrë konstruktive me zotin Holkeri dhe të shmangin akte dhe deklarata të njëanëshme që mund të rrezikojnë përpjekjet për krijimin e një Kosove të qëndrueshme, shumë etnike, dhe demokratike.

Ai tha se është i bindur që bisedimet teknike Prishtinë-Beograd do të fillojnë së shpejtji dhe i bëri thirrje qeverisë së Kosovës që të angazhohet plotësisht në këtë proces.//xh//

XS
SM
MD
LG