Lidhje

Paul Williams: respektimi i të drejtave të serbëve, çelësi i pavarësisë së Kosovës - 2003-10-31


Respektimi i të drejtave të pakicave serbe është çelësi që do ti sigurojë Kosovës pavarësinë. Kështu deklaroi eksperti për çështjet e Ballkanit, Paul Williams në një forum të organizuar nga një shoqatë studentësh në fakultetin juridik të Universitetit Amerikan. Të ftuar në diskutim ishin edhe ambasadori shqiptar në Shtetet e Bashkuara, Fatos Tarifa dhe kryetari i këshillit kombëtar shqiptaro-amerikan, Martin Vulaj.

Të drejtat e pakicave serbe dhe kthimin i të zhvendosurve, janë çeshtjet që po vonojnë statusin përfundimtar të Kosovës, tha Paul Williams, profesori i Universitetit Amerikan për Drejtësinë.

Profesori Williams, hartuesi i një numri marrëveshjesh me rëndësi jetike për shqiptarët, duke filluar nga Deytoni e deri në Ohër, tha se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian nuk po shohin përparim drejt respektimit të të drejtave të pakicës serbe.

“Në se shqiptarët do ta kishin bërë këtë do të ishin të pavarur. Komuniteti ndërkombëtar dhe veçanërisht Shtetet e Bashkuara ndërmorrën fushatën ushtarake në Kosovë pikërisht për të mbrojtur të drejtat e njeriut. E në se ata i japin tani pavaresinë Kosovës, pa arritur më parë të sigurojnë mbrojtjen e të drejtave të minoritetit serb, do të kritikoheshin. Për hir të luftës, shqiptarët e Kosovës duhet të respektojnë të drejtat e serbëve”, tha profesori.

Sipas zotit Williams standarti në bazë të të cilit duhet të gjykohet puna e qeverisë së Kosovës është ndërtimi i mekanizmave dhe miratimi i ligjeve që do të sigurojnë mbrojtjen e të drejtave të serbëve dhe jo numri i atyre që do të kthehen në Kosovë.

Problemin e transferimit të kompetencave nga UNMIK-u tek qeveria kosovare, eksperti e shikon si të dyanshëm. UNMIK-u nuk i lëshon kompetencat pasi nuk beson se pala shqiptare do të mund t’i përdorë ato siç duhet, kurse nga ana tjetër udhëheqja e Kosovës nuk ka qënë në gjendje të shfrytezojë ato pak kompetenca që ka patur.

“Udhëheqja e Kosovës duhet të shfrytëzojë kompetencat që i janë dhënë. Vërtet udhëheqësit vendorë nuk kanë kompetenca përshembull për politikën e jashtme por kanë një komision të marrëdhënieve me jashtë. Edhe në Shtetet e Bashkuara, Senati nuk ka kompetenca të hartojë politikën e jashtme, por miraton rezoluta dhe këshillon departamentin e shtetit. Nuk ka përse komisioni i parlamentit të Kosovës për marrëdhëniet me jashtë të mos takohet çdo ditë me UNMIK-un dhe ti japë këshillat e tij se cilat janë rrugët për tu integruar në institucionet ndërkombëtare. Në se anëtarët e këtij komisioni shfrytëzojnë ato pak kompetenca që kanë, komuniteti ndërkombëtar do të jetë më i gatshëm tu japë pushtetin”.

Profesori Williams pret që Këshilli i Sigurimit ti japë kësaj rradhe udhëzime administratorit Harri Holkeri për fillimin e negociatave jozyrtare për statusin përfundimtar. Dialogu Prishtinë-Beogradë, tha ai, do të vazhdojë në nivele teknike por dialogu i vërtetë do të jetë ai midis udhëheqjes së Kosovës, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Statusi përfundimtar i Kosovës do të përcaktohet midis Prishtinës, Washingtonit dhe Brukselit dhe jo nga Beogradi.

Profesori Williams është optimist se statusi përfundimtar i Kosovës po afron dhe ai parashikon që ky status të bëhet realitet deri në pranverën e vitit 2005.

//rd//

XS
SM
MD
LG