Lidhje

Shqiptarët e Malit të Zi – seancë dëshmish në Kongresin amerikan - 2003-10-31


Shqiptarët e Malit të Zi ankohen se të drejtat e tyre arsimore, gjuhësore dhe ekonomike mohohen dhe se ata trajtohen si qytetarë të dorës së dytë. Me nismën e Lidhjes Qytetare shqiptaro-amerikane, një organizatë lobiste me qendër në Nju Jork, dje në Uashington ishin një grup përfaqësuesish të shqiptarëve nga Mali i Zi të cilët i shtruan këto çështje përpara disa anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve.

Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane nën drejtimin e ish anëtarit të Dhomës së Përfaqësuesve, Joseph Dioguardi dhe këshilltares për çështjet ballkanike, Shirley Cloyes ngul këmbë se në Mal të Zi po ndodh një spastrim etnik i heshtur.

Ata thonë se shqiptarët diskriminohen, po detyrohen të shpërngulen, po u konfiskohen tokat dhe po asimilohen

Ky realitet, thonë ata, nuk njihet, sepse gjatë konfliktit ballkanik në Mal të Zi nuk pati ndonjë luftë e armatosur.

Shqiptarët janë të shqetësuar se nëse ky realitet vazhdon, pas disa dekadash në Mal të Zi nuk do të ketë më shqiptarë.

Për herë të parë, problemet e të drejtave për shqiptarët e Malit të Zi u paraqitën në një seancë dëshmish të organizuar nga grupi i Dhomës së Përfaqësueve për çështjet e të drejtave të njeriut.

Nail Draga, arsimtar dhe ish kryetar i Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve në Ulqin tha në seancë se shqiptarët kërkojnë ndryshimin e statusit të tyre në të gjitha fushat:

“Kërkojmë një avancim të statusit të shqiptarëve, që shqiptarët të jenë qytetarë të barabartë në aspektin kombëtar si qytetarët e tjerë në mal të Zi. Por këtu ekziston një paradoks shumë i madh për arësye se edhe kushtetuta aktuale e Malit të Zi u garanton të drejta shqiptarëve por është ky staf qeveritar i cili nuk i realizon ato në praktikë. Problemi qendron se nuk ekziston kurfarë vullneti politik i qeverisë malazeze, që shqiptarët të jenë të barabartë me të tjerët në aspektin kombëtar.”

Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve, Tom Lantosh, i cili njihet për ndikimin e tij në çështjet e të drejtave të njeriut, në muajin gusht ishte në Mal të Zi, ku pati rast të njihet me gjendjen e pakicës shqiptare atje. Ai tha në seancën e së premtes se gjatë vizitës në Ulqin, Anën e Malit, Krajë dhe Tuz, kishte takuar shumë shqiptarë "të cilët ishin inteligjentë dhe kompetentë dhe në asnjë mënyrë nuk e meritojnë statusin e qytetarëve të klasit të dytë që u imponon qeveria".

Anton Laçaj, arsimtar nga Mali i Zi, tha se gjendja e shkollave për fëmijët shqiptarë është e pparanueshme:

“Tekstet mësimore janë skandaloze, të gjitha janë përkthim nga gjuha sllave, mbas përkthimit ato janë deformuar, pra kanë probleme materiale, pa folur për gabime gramatikore. Një mësimdhënës i gjuhës së huaj, për shembull i gjuhës angleze, u jep gjuhën angleze nxënësve shqiptarë përmes gjuhës sllave, në një kohë që nxënësit shqiptarë nuk e njohin fare gjuhën sllave. Pra, të mësosh një gjuhë të huaj, përmes një gjuhe tjetër të huaj.”

Nga ana e tij zoti Lantosh u përgjigj duke thënë se hungarezët e Vojvodinës dhe Serbët e Bosnjes mund të përdorin librat e tyre të shtypur në Hungari ose në Serbi. Nuk ka arësye, tha ai, se përse shqiptarët e Malit të Zi të mos kenë libra në gjuhën shqipe të shtypur qoftë në Kosovë apo në Shqipëri.

Këtë çështje, tha zoti Lantosh, do tua parashtroj autoriteteve malazeze.

Drejtuesit e Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane kanë bërë thirrje që Shtetet e Bashkuara të mos mbështesin pranimin e Serbisë dhe Malit të Zi në B.E. ose në Nato në rast se nuk njihen dhe nuk respektohen të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi.

XS
SM
MD
LG