Lidhje

Në kërkim të një dite të re për Iranin - 2003-11-03


Qeveria iraniane përdor torturën, ndalimin arbitrar dhe forcën e tepruar për të shtypur lirinë e shprehjes, të krijimit të shoqatave dhe atë fetare të qytetarëve. Synimet e Iranit për armë të shkatërrimit në masë dhe prodhimi i tyre kanë ngjallur shqetësim ndërkombëtar. Irani vazhdon të jetë shteti kryesor në botë që mbështet terrorizmin, duke përkrahur organizata si Hezbollahu, Hamasi dhe Xhihadi Islamik Palestinez. Elementë të qeverisë iraniane kanë ndihmuar anëtarë të Al-Qaidës dhe Ansar al-Islamit të udhëtojnë përmes Iranit dhe të gjejnë strehë atje.

Siç thekson Nënsekretari amerikan i Shtetit, Richard Armitage, populli i Iranit pret me padurim që t’i vijë fundi qeverisë shtypëse. “Iranianët, tha ai, janë të angazhuar në një debat të pasur dhe të gjallë mbi llojin e shoqërisë që duan për vete dhe për fëmijët e tyre, si edhe për reforma thelbësore ekonomike dhe demokratike”. Siç tha zoti Armitage, Irani “është një vend që po kalon përmes një transformimi të jashtëzakonshëm”. Shtetet e Bashkuara, tha ai po punojnë për të inkurajuar këtë dëshirë për liri dhe njëkohësisht po punojnë për të luftuar politikat destruktive të qeverisë iraniane.

“Politika jonë është që të përpiqemi të asgjësojmë aftësinë e Iranit për të vazhduar politikat shkatërruese siç janë prodhimi i armëve të shkatërrimit në masë, injorimi i të drejtave të njeriut, shtypja e pakicave, shtypja fetare e besimtarëve Bahai, si edhe të bëjmë përpjekje që ata të heqin dorë nga përkrahja e terrorizmit. Dhe në këtë drejtim, politika jonë është që të vazhdojmë të mbështesim hapur dhe publikisht aspiratat e popullit të Iranit për transparencë, luftë kundër korrupsionit dhe demokraci”, tha ai.

Beteja vazhdon mes disa elementëve të shoqërisë iraniane dhe udhëheqjes që duan ta mbajë vendin të zhytur në dhunë dhe korrupsion dhe një lëvizjeje popullore e cila do një Iran më të angazhuar dhe modern. Por fakti që Çmimi Nobel për Paqen iu dha një qytetareje iraniane, Shirin Ebadi, është një shenjë e dëshirës së përgjithshme për ndryshime në gjithë shoqërinë iraniane.

Siç tha Nënsekretari amerikan i Shtetit Armitage “Populli iranian duhet ta dijë që gëzon mbështetjen tonë për aspiratat e tyre, por gjithashtu që të mirat e plota të kësaj mbështetjeje do të realizohen vetëm pasi qeveria t’u japë fund politikave shkatërruese. Ne e presim me padurim ditën kur të triumfojë vullneti i popullit të Iranit”//kk//

XS
SM
MD
LG