Lidhje

Administrata amerikane e quan sulmin në Irak një tragjedi kombëtare - 2003-11-03


Administrata e Presidentit Bush shprehu dhimbjen për vdekjen e 15 ushtarëve amerikanë, si pasojë e një sulmi ndaj një helikopteri transporti pranë Bagdadit. Por njëkohësisht zyrtarët e administratës po zotohen që të vazhdojnë misionin e tyre në Irak.

Sekretari i Mbrojtjes Donald Rumsfeld foli në emër të administratës për ditën e përgjakshme.

Në disa intervista në televizionin amerikan, ai u shprehu ngushëllimet familjeve të atyre që humbën jetën. Ai e quajti sulmin një tragjedi kombëtare.

“Sigurisht që është një ditë tragjike për Amerikën dhe për këta djem të rinj e vajza rë reja”, tha ai.

Ai tha në emisionin televiziv This Week në stacionin ABC, se tragjedi të tilla janë fatkeqësisht pjesë e natyrës së luftës.

“Në një luftë të gjatë dhe të ashpër, do të kemi edhe ditë tragjike si kjo e sotmja. Por ato janë të nevojshme. Janë pjesë e një lufte të vështirë dhe të ndërlikuar”.

Sulmi i djeshëm shkaktoi numrin më të madh të viktimave mes forcave amerikane në Irak që nga fundi i luftimeve në shkallë të gjerë në Maj. Gjatë një interviste në një emision televiziv të stacionit NBC, zotit Rumsfeld iu bë pyetja nëse mendon se udhëheqësi i përmbysur irakian Sadam Husein ndodhet ende në vend, duke drejtuar qëndresën ndaj koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

“Mendoj se është gjallë. Mendoj se ndoshta është në Irak, ndoshta në Irakun verior. Dhe pa dyshim që ai ka mënyra për të komunikuar, mënyra primitive, ndoshta me korrierë, ose njerëz të tjerë”.

Ai tha se tre fraksione janë përfshirë në sulmet e kohëve të fundit: kriminelët, terroristët e huaj dhe besnikët e Sadam Huseinit. Sekretari i Mbrojtjes tha në një emision të televizionit Fox se përpjekjet e besnikëve të mbetur të regjimit Bathist për të marrë nën kontroll Irakun do të ishin të dështuara.

“Ata duan ta marrin përsëri në dorë atë vend dhe nuk do ta bëjnë dot këtë”, tha Sekretrari i Mbrojtjes.

Presidenti Bush ishte në fermën e tij në Teksas, kur ndodhi sulmi. Këshilltarët e tij thanë se ai kishte marrë vesh për goditjen e helikopterit nga anëtarë të stafit të tij dhe po informohej vazhdimisht për zhvillimet.

Ndërkohë një sondazh i ri i kryer nga gazeta Washington Post dhe rrjeti televiziv ABC tregon një ndarje të opinionit publik lidhur me Irakun. Po ashtu tregon se lufta është kthyer në një argument kryesor mes partive, gjë që kuptohet nga fakti që niveli i mbështetjes për politikat e presidentit është shumë më i lartë mes anëtarëve të partisë së tij republikane, sesa mes demokratëve të opozitës.//kk//

XS
SM
MD
LG