Lidhje

”CIA në luftë: Brenda Fushatës së Fshehtë kundër Terrorit” - 2003-11-03


Për CIA-n Agjencinë Qendrore të Zbulimit janë shkruar dhjetra libra, që nga krijimi i saj në vitin 1947. Përmbajtja e tyre është mjaft e ndryshme, nga rrëfimet për ato që autorët i quajnë punë të papastra të CIA-s e deri te veprat skolastike që e përshkruajnë me ftohtësinë e tyre karakteristike botën e fshehtë të zbulimit. Korrespondenti ynë Gary Thomas ka lexuar njërin nga librat e fundit dhe bisedoi me autorin e tij.

Libri i fundit titullohet ”CIA në luftë: Brenda Fushatës së Fshehtë kundër Terrorit”. Ky libër vjen në raftet e librarive në kohë mjaft kritike për CIA-n.

Në Shtetet e Bashkuara vazhdojnë debatet e ashpra lidhur me informacionet e zbulimit në prag të luftës në Irak, pra nëse ato ishin difektoze dhe nëse po, i kujt është faji. Dhe, megjithë sukseset e arritura në luftën kundër terrorit, disa nga personat më të kërkuar si Osama bin Ladeni, udhëheqësi taleban, Mullah Omar dhe ish udhëheqësi irakian, Saddam Hussein ende nuk janë kapur.

Autori Ronald Kessler, i cili ka shkruar edhe libra të tjerë për CIA-n dhe FBI-në, na jep përshkrime mjaft tërheqëse për CIA-n dhe luftën e saj kundër terrorit. Për shembull, ai përmend se CIA krijoi mullahë të rremë ose pagoi disa nga mullahët e vërtetë për të shtuar mbështetjen ndaj Shteteve të Bashkuara në botën islamike.

Një pjesë e mirë e librit flet për gjëra tashmë të njohura për ata që e njohin pak a shumë historinë e CIA-s. Prandaj ky libër nuk është për ata që kërkojnë episode të bujshme ose gjëra të pazbuluara më parë.

Ronald Kessler ka patur bashkëpunimin e plotë të CIA-s për të shkruar këtë libër dhe madje është lejuar të takohet shumë herë me drejtorin e agjencisë George Tenet, diçka e pazakontë kjo. Zoti Tenet madje u kërkoi shumë zyrtarëve të tjerë të CIA-s që të bashkëpunojnë me autorin, por të paktë ishin ata që e bënë këtë.

Autori thotë se në këto takime ai nuk u bëri ndonjë premtim zyrtarëve të CIA-s se do të fliste pozitivisht për ta, meqë ata e kishin ndihmuar. Por as këta zyrtarë, thotë ai, nuk prisnin që ai ta bënte një gjë të tillë.

”Unë nuk bëhem zëdhënës i atij që më ofron bashkëpunim. Unë jam i pavarur. Besoj se ata bashkëpunuan pasi ata ishin të bindur që unë do të tregohesha i paanshën në pasqyrimin e gjërave. Ata e kishin lexuar librin tim të mëparshëm me titull ”Brenda CIA-s”, për të cilin ata mendojnë se ishte një vlerësim i paanshëm i agjencisë,” thotë autori Kessler.

Mirëpo, megjithëse zoti Tenet është figura qendrore në debatet lidhur me informacionet për Irakun e paraluftës, në libër nuk gjen as kritikën më të vogël për shefin e CIA-s. Përkundrazi, libri është plot lavdërime për të dhe për eprorin e tij, Presidentin Bushy. Kessler thotë se zoti Tenet e ka rigjallëruar CIA-n pas ngjarjeve të tmerrshme të 11 shtatorit.

”George Tenet vazhdimisht e ka patur në qendër të vemendjes çështjen bin Laden dhe ka thënë qysh në vitin 1997 se bin Ladeni është kërcënimi më i madh për Shtetet e Bashkuara. Por në ata kohë të paktë ishin ata që e dëgjuan. Megjithatë, përpara 11 shtatorit pati shumë difekte. Sot puna e CIA-s është mjaft energjike dhe me objektiva të qartë. Dhe kjo ka të bëjë në një masë të madhe me rolin udhëheqës të Presidentit Bush,” thotë autori.

Paraardhësi i zotit Tenet, John Deutch, kritikohet ashpër në të gjithë librin. Përpara se të largohej nga CIA-s, u zbulua se Deutch mbante në kompjuterin e shtëpisë, në kushte aspak të sigurta, rreth 17 mijë dokumente tepër sekrete, një episod ky aspak i këndshëm për atë vetë dhe për agjencinë.

Autori Ronald Kessler nuk i vë rëndësi çështjes tashmë të bujshme lidhur me informacionet e zbulimit për armët e shkatërrimit në masë të Saddam Husseinit në prag të luftës në Irak. Ai thotë se e gjithë kjo ishte një bujë që e nxitën vetë mjetet e informimit. Autori thotë se një ditë këto armë do të gjenden.

XS
SM
MD
LG