Lidhje

Shkrimtari Ismail Kadare: Jeta politike shqiptare jo normale - 2003-11-04


Pas zgjedhjeve të fundit dhe përçarjeve në radhët e Partisë Socialiste Shqipëria e gjen veten përsëri në një situatë të paqëndrueshme dhe të pasigurtë politike. Në emisionet e tij Zëri i Amerikës ka pasqyruar herë pas here mendimet e politikanëve dhe të analistëve. Në Ditarin e datës 4 nëntor zhvilluam një bisedë të drejtëpërdrejtë nga Tirana me shkrimtarin e njohur Ismail Kadare.

Zëri i Amerikës: Zoti Kadare, përsëri Shqipëria nuk pati sukses në përpjekjet e saj për të organizuar zgjedhje të rregullta dhe të pakontestuara. Kjo ka sjellë një periudhë pasigurie, pasi zyrtarët e zgjedhur nuk mund të fillojnë nga detyra pa u zgjidhur mosmarrëveshjet lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve. Sipas jush, përse partitë politike dhe personalitetet politike shqiptare, e kanë kaq të vështirë të zbatojnë rregullat e lojës demokratike?

Ismail Kadare: Është e vërtetë se në këto zgjedhje, për të gjithë ne pati zhgënjime të mëdha. Në të gjithë jemi në një mendje me këtë. S’kam dëgjuar askënd që të thotë se ato u zhvilluan mirë e aq më pak shumë mirë. Të pafalshme kanë qënë çrregullësitë e listave, falsifikimet, tërheqjet e komisionerëve, trysnitë. Skandaloze është që në dy qytetet kryesore, Tiranë dhe Durrës ende s’janë shpallur përfundimet. Skandaloze është ndërhyrja e prokurorisë. Të gjitha këto natyrisht na krijojnë një traumë. Nuk është hera e parë që na krijojnë të tilla dhe mesa duket klasa politike shqiptare ka ende shumë, shumë rrugë për të bërë drejt emancipimit. Kemi shpresuar të gjithë se ngjarjet, që kemi jetuar bashkarisht me këtë klasë, do ta shpejtonin këtë emancipim, por për fat të keq nuk ka qënë kështu. Me këtë pakënaqësi të madhe të kësaj vjeshte, unë gjej të vetmen gjë pozitive; është pozitive që pakënaqësia dhe kritika janë tepër të rrepta dhe të përgjithshme. Kjo do të thotë se populli shqiptar është i përgatitur nga ana shpirtërore, kulturore dhe mendore, që të mos e lejojë më përsëritjen e një gjëje të tillë.

Zëri i Amerikës: Zoti Kadare, gjatë muajve të fundit duket se klima politike në Shqipëri është keqësuar. Shumë thonë se për shkak të problemeve të brendshme, qeveria socialiste e ka humbur legjitimitetin dhe nuk mund të qeverisë me efektivitet vendin. Të tjerë thonë se opozita nuk ka ndryshuar dhe se ende nuk është e aftë të marrë pushtetin. Si e shikoni ju gjendjen politike dhe a ka një rrugëdalje nga kjo situatë, që disa e cilësojnë si një paqëndrueshmëri e përhershme në qeverisje?

Ismail Kadare: Natyrisht që jeta politike në Shqipëri është jo normale. Kjo fjalë jo normale është shumë e rëndë, sepse jo normal përdoret zakonisht për njerëzit e çmendur, edhe pra për një jetë politike, krejtësisht të pashëndetëshme. Është thënë edhe herë tjetër se Shqipëria është një vend me temperaturë shumë të lartë politike. Kjo temperaturë e lartë, e vazhdueshme është tepër e lodhshme, tepër raskapitëse. Ajo e bën të vështirë gjithçka. Ajo e bën jetën e njerëzve, jetën kulturore, zhvillimin ekonomik, biznesin edhe çdo gjë tjetër. Tashti, gjë e parë është si mund të ulet kjo zjarrmi e padurueshme? Kjo është më e ngutshmja. Ky ritëm është një ritëm jashtëzakonisht i keq. Zakonisht fjala ritëm përdoret për të mirë në një zhvillim, këtu ne kemi një ritëm të keq, të brendshëm. Është kjo dozë e politikanizmit partiak që e verbon një pjesë të popullësisë. Për fat të mirë kjo pjesë sa vete e zvogëlohet dhe një pjesë tjetër është shpërfillëse ndaj jetës politike, gjë që gjithashtu nuk është e lakmueshme. Tashti nuk është e lehtë të jepet një recetë për këtë gjë. Rënia e temperaturës padyshim është e ngutshme, rënia e pasioneve është e ngutshme. E keqja duhet të kufizohet, që të bëhet minoritare. Është kusht i parë i domosdoshëm, që ajo të vihet në gjunjë. Përgjithësimi i së keqes, banalizimi i saj, siç thuhet, është një rrezik i jashtëzakonshëm. Faza e parë e përgjithësimit është, përshembull kur flasin për korrupsionin, që të gjithë janë të korruptuar, pak a shumë gjithë jeta është e korruptuar. Faza e dytë pas kësaj arrin në një tjetër mendim, që s’kemi ç’bëjmë, do jetojmë me korrupsionin, kështu paska qënë e thënë, si të thuash që të përfundojmë në një korrupsion të përgjithësuar. Faza e tretë, akoma edhe më e keqe, është kur korrupsioni shpallet si një shenjë e demokracisë, si një tipar i saj i pashmangshëm. Unë mendoj se aksionet për të dalë nga kjo krizë duhet të jenë konkrete. Duhet të sulmohen, atakohen sektorët kryesorë të së keqes, duke filluar nga ajo që është bërë tani një gangrenë, që bie në sy dhe që pranohet nga ne të gjithë, pra edhe nga gjithë bota, nga korrupsioni. Duhet të ketë, t’u vihet më në fund gishti, njerëzve të korruptuar. Duhet të zbulohen ata, të gjenden ata, të jepet një shembull, jo për ta kthyer Shqipërinë në një vend dënimesh, sepse mjaft është lodhur ky vend nga dënimet, po për të dënuar ata, që i shkaktojnë një dënim, një mallkim gjithë popullit shqiptar.

Zëri i Amerikës: Zoti Kadare, në raste momentesh të vështira, siç është periudha kalimtare nga diktatura në demokraci, që shoqërohet me ndryshime rrenjësore, shoqëria kërkon mbështetje morale jo vetëm tek simbolet shtetërore ose kombëtare, por edhe tek institucione të tjera, siç mund të jetë feja apo shtresa e intelektualëve. Cila është pozita e tanishme e intelektualëve shqiptarë, a janë ata në gjendje që të luajnë këtë rol drejtues për shoqërinë shqiptare ?

Ismail Kadare: Unë mendoj se roli i intelektualëve shqiptar, për fat të keq, ka qënë shumë i kufizuar vitet e fundit. Kjo është një humbje shumë e madhe për Shqipërinë, pasi siç e thatë ju, mbështetja morale ka një vlerë të pallogaritshme, sikurse ka një vlerë të keqe të pallogaritshme, thyerja morale e një populli. Unë këtë e kam thënë shumë herë, kam ngulur këmbë shumë herë, që të mos rrëzojmë së paku vlerat morale, ashtu siç kemi rrëzuar në mënyrë idiote dhe të egër disa herë, siç kemi rrëzuar ndërtesat tona, muzetë, biblotekat dhe shtetin vetë. Mirëpo duhet thënë se intelektualët shqiptarë ndodhen përpara dy lloj akuzash; nga njëra anë heqja mënjanë e tyre, nga ana tjetër intelektualë që bëhen tellal të partive, që u përkasin njerës palë, ose tjetrës. Siç e shihni intelektualët shqiptarë janë ndodhur shpesh në Shqipëri midis dy zjarresh. Duhet thënë me sinqeritet, që është mjedis i papërshtatshëm në Shqipëri ajo temperaturë e lartë politike, që e ka bërë mjedisin të papërshtatshëm për një debat intelektual. Ajo klimë permanente politike, ajo zjarrmi që nuk rresht, e përjashton debatin, e ul nivelin ose e përçudnon atë. Intelektualët që nuk dëshërojnë të përzihen si partizanë, në mbështetje të njërës apo tjetrës parti politike, janë të rrezikuar nga të dy anët. Unë nuk mendoj si disa, që intelektuali shqiptar nuk ka të drejtë të marrë pjesë në një parti. Është normale, është e natyrshme, është qytetare që edhe intelektuali po të dojë, të bëj pjesë në një parti. Por mëkat është kur intelektuali në vend që ta ndikojë partinë e vet të emancipohet, bëhet pre e saj. Domethënë, është partia ajo që e egërson, që e primitivizon intelektualin dhe kjo është vërtetë një humbje e jashtëzakonshme për të gjithë vendin. Qëndrimi gjakftohtë i intelektualit, është qëndrimi më i natyrshëm i tij, më pozitivi, më ndërtuesi. Unë përshembull vetë jam shkrimtar. Zgjedhësit e të dy palëve sot në Shqipëri, njerëzit që marrin pjesë në luftën politike, janë në rradhë të parë lexuesit mi. Unë si të tillë i shikoj. Edhe sikur të jenë shpirtërisht me njërën palë, unë nuk mund të përjashtoj kurrësesi palën tjetër, sepse unë shkruaj për të gjithë. Dhe kështu, muzikanët, filozofët, gjuhëtarët, artistët, shkencëtarët, ata bëjnë libra për të gjithë, punojnë për të gjithë, studiojnë gjuhën për të gjithë, studiojnë historinë për të gjithë. Ata s’mund t’i ndajnë, prandaj uzurpimi i hapësirës kulturore shqiptare prej shterpësisë politike e ngushton këtë hapësirë kulturore. Prandaj mendoj që këtu duhet parë, duhet studiuar, duhet vrarë mëndja se si intelektualëve shqiptarë t’u hapen mundësitë, t’i hiqet ajo trysni e tmerrshme, ai terror psiqik ndonjëherë që rëndon mbi ta. Unë me këtë nuk i shfajësoj intelektualët kur ata e teprojnë me atë heqjen mënjanë të tyre, ose e teprojnë me gjëra të tjera. Megjithatë duhet të vihemi disa herë në lëkurën e tyre për të kuptuar edhe dramën e tyre.

Zëri i Amerikës: Zoti Kadare, a jeni optimist se shqiptarët më në fund mund t’i rifitojnë shpresat e humbura dhe Shqipëria mund të rigjallërohet?

Ismail Kadare: Po unë jam optimist. Kam qënë gjithmonë, edhe në gjendje më të vështira se kjo, që kanë qënë të rralla sidoqoftë. Unë jam për atë, që vendi ynë dhe këtë nuk mund ta lëvizi asgjë, i ka të gjitha mundësitë, absolutisht të gjitha mundësitë, që të eci përpara. Është një vend me burime të mëdha njerëzore, natyrore, me mundësi të mëdha. Është një vend që është i skajuar, i vendosur në pjesën më të bukur të botës. Dua të them se e keqja e Shqipërisë nuk është fatalitet, siç mendojnë disa. Kjo është një lloj përligjje ndonjëherë, për të përligjur të keqen, për ta pranuar atë. E keqja e Shqipërisë mund të kapërcehet dhe unë kam shpresë, kam besim, jo për ta mbyllur këtë intervistë me një ton pozitiv, por kam një besim që kam shprehur gjithmonë dhe kam bindjen se kështu do të jetë, që populli shqiptar meriton një jetë më të mirë, shumë më të mirë dhe ai do ta ketë këtë jetë më të mirë, padyshim. Natyrisht do shumë përpjekje, por atë e kemi përpara sidoqoftë. //rd//

XS
SM
MD
LG