Lidhje

Institucionet ndërkombëtare shqyrtojnë rrugët e integrimit të romëve - 2003-11-05


Kombet e Bashkuara dhe institucione të tjera ndërkombëtare propozuan rrugë për përmirësimin e gjendjes së popullsisë rome në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, duke u përqendruar kryesisht tek arsimimi si kyç për integrimin e tyre. Në një takim që u mbajt të martën këtu në Washington, organizuar nga Programi i Zhvillimit i Kombeve të Bashkuara dhe Qendra e Studimeve Woodrow Wilson, zyrtarë dhe ekspertë diskutuan për masat që duhen marrë që kjo popullsi të mos jetë më e lënë mënjanë.

Kalman Mizsei, ndihmësadministrator për Evropën i Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, PNUD tha se gjendja e romëve nuk mund të përmirësohet vetëm duke u përqendruar tek të drejtat e njeriut.

“Megjithëse trajtimi i të drejtave të njeriut për romët është jetik dhe ka bërë shumë që ne të kuptojmë mëkatet tona ndaj popullsisë rome, vetëm përqendrimi tek të drejtat e njeriut nuk do ta zgjidhë këtë çështje”, tha ai.

Duke bërë një analogji me afrikano-amerikanët, ai tha se për të tërhequr sa më shumë romë në shkolla, duhet të përdoret një sistem si ai këtu në Shtetet e Bashkuara për favorizimin e pakicave.

Ndërsa niveli i papunësisë për romët në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore është 30-45 për qind, një nga zgjidhjet që propozoi zoti Mizsei ishte tha që sektori privat të shprehë vullnetin që të punësojë romë. Ndërsa përsa i takon pjesëmarrjes në qeverisje, ai tha se rruga më e mirë dhe efikase për të filluar është përfshirja në qeverisjen vendore, të cilës kjo popullsi i beson më shumë.

Kent Hill, ndihmës administrator i Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, paralajmëron se problemet e integrimit të romëve nuk mund të zgjidhen menjëherë.

“Integrimi i romëve në vendet e Evropës Lindore, nuk është çështje e parëndësishme. Është një problem i vështirë dhe shqetësues. Dhe kushdo që mendon se mund të zgjidhet me një konferencë, apo dy, nuk e njeh nga afër këtë problem”, tha ai.

Andrei Ivanov, këshilltar për zyrën e Programit të OKB-së për zhvillimin në Bratislavë, duke iu përgjigjur pyetjes së Zërit të Amerikës tha se në mënyrë tragjike romët në Ballkan, ishin më të humburit jo vetëm gjatë tranzicionit, por edhe në procesin e ndërtimit të institucioneve në Ballkan në dekadën e kaluar. “Gjëja e veçantë dhe interesante është se përjashtimi i romëve nuk është thjesht i lidhur kryesisht dhe vetëm me çështjet ekonomike, ata janë të përjashtuar edhe në ambjente të varfra, si përshembull në Shqipëri, apo Kosovë”, tha ai.

Ai shtoi se sfida për vendet e Ballkanit është sesi të tregojnë interes dhe të pranojnë idenë e thjeshtë se ky rajon është shumë i vogël që të ndahet për çështje etnike apo të llojeve të tjera.

Ja ç’thotë Erika Schlager, këshilltare për të drejtën ndërkombëtare në Komisionin për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, mbi gjendjen e romëve në Kosovë:

“Para disa vitesh në Kosovë kishte rreth 130 mijë romë, ndërsa tani ka rreth 30 mijë. Duhet bërë ende shumë punë për të krijuar një ambjent të sigurt që romët të kthehen në shtëpitë e tyre dhe një gjë e tillë nuk është realizuar ende”, tha ajo.

Ekspertët pjesëmarrës në takim thanë se një pjesë e vështirësive të përfshirjes së romëve në jetën e këtyre vendeve, buron nga fakti i keqkuptimeve dhe paragjykimeve që ka shumica sipas së cilës romët nuk duan vetë të integrohen. Ata sollën shembuj për të kundërtën. //kk//

XS
SM
MD
LG