Lidhje

Partia Socialiste ndryshon statutin për të forcuar disiplinën - 2003-11-05


Mbledhja e sotme e kryesisë së Partisë Socialiste zgjati mbi 6 orë dhe përcaktoi platformën e kongresit dhe të zhvillimit të konferencave në rrethe nga të cilat do të dalin delegatët. Dy grupe pune me anëtarë të kryesisë kishin paraqitur projekte me ndryshimet në programin dhe statutin e partisë.

Sekretari i Përgjithshëm, Gramoz Ruci deklaroi pas mbledhjes se kryesia miratoi të gjitha materialet e nevojshme për kongresin e dhjetorit. Sipas ndryshimeve të miratuara nga kryesia, edhe funksioni i sekretarit të përgjithshëm do të votohet nga kongresi ashtu si edhe posti i kryetarit të partisë. Ajo që pritej me interes dhe që kishte tërhequr vëmendjen ishin ndryshimet e ndikuara nga zhvillimet e brendëshme në partinë socialiste. Pas projektit të miratuar është parashikuar forcimi i regullave dhe disiplinës të shoqëruara këto me masa ndëshkimore. Zoti Ruci qartësoi se këto masa shkojnë deri në çrregjistrime.

Më shumë se një herë, për shkak të konflikteve mes tyre socialistët i kanë shkelur me të dyja këmbët rregullat e brendëshme. Fillimisht ishte kryeministri Fatos Nano i cili dy vjet më parë pengoi emërimin e ministrave të rinj të kabinetit të zotit Ilir Meta. Por kjo metodë e përdorur nga ai, iu kthye në një armë kundër kur muajt e fundit, dy herë me rradhë ai dështoi në emërimin e anëtarëve të rinj të qeverisë së tij për shkak të kundërvënies së një numri deputetësh socialistë. Socialistët synojnë me këto ndryshime të shmangin përsëritjen e situatave të ngjashme në të ardhmen. Ndërsa për kryeministrin Nano në se ai do të rikonfirmohet si kryetar i partisë, masat e reja ndëshkimore janë edhe një shpresë për të përçarë grupin e deputetëve të drejtuar nga zoti Ilir Meta dhe për të shmangur kështu një dështim të tretë në plotësimin e vendeve bosh në qeverinë e tij.

Ditët e fundit zoti Meta ka patur disa takime me drejtuesit e lartë të partisë si sekretarin e përgjithshëm Ruçi apo kryetarin e parlamentit Servet Pëllumbi. Ai ka bërë të qartë edhe njëherë se bashkë me përkrahësit e tij është i vendosur ti shkojë deri në fund luftës së nisur. Kongresi pritet të jetë arena ku do të ndeshen dy rivalët kryesorë socialist. Por deri tani zoti Meta duket se është tërhequr nga ideja e kandidimit duke i dhënë mbështetje deputetit Rexhep Mejdani. Ndaj ish-presidentit zoti Nano nuk mund të përdorë taktikën e sulmeve të ashpra që ai po përgatit ndaj zotit Meta dhe mbështetësve të tij.

/rd/

XS
SM
MD
LG