Lidhje

Irak: Dy autokolona amerikane sulmohen me granada - 2003-11-05


Zyrtarët amerikanë thonë se dy autokolona amerikane në veri të Irakut u sulmuan me granada. Gjatë sulmit u vranë 3 civilë dhe u plagosën të paktën 5 të tjerë. Mes të plagosurve janë dy ushtarë amerikanë.

Sulmi në ndodhi në Mosul. Ndërkohë forcat e koalicionit njoftojnë se arrestuan dy ish gjeneralë irakianë të akuzuar për financimin dhe organizimin e sulmit të djelën ndaj helikopterit amerikan gjatë të cilit humbën jetën 15 ushtarë amerikanë.

Ndërkohë presidenti i Këshillit Qeverisës Irakian tha se Këshilli dhe zyrtarët amerikanë janë pranë arritjes së një marrëveshjeje për krijimin e forcave paraushtarake irakiane për të forcuar sigurinë në vend.

Jalal Talabani tha sot se forcat e re do të ketë kompetenca të gjera policore dhe ushtarake. Ndër detyrat e saj do të jetë grumbullimi i informaciconeve të zbulimit dhe kryerja e operacioneve ushtarake.

Zyrtarë të lartë amerikanë i thanë gazetës Uashington Post se kryeadministratori amerikan në Irak, Paul Bremer e ka miratuar, me disa kushte, idenë e krijimit të kësaj force.

Në fillim të kësaj jave, zoti Bremer tha gjithashtu se koalicioni ka në plan ta dyfishojë vitin e ardhshëm numrin e pjesëtarëve të Korpusit Irakian për Mbrojtjen Civile dhe të rrisë numrin e forcave të policisë dhe rojeve të kufirit.

Të mërkurën Këshilli Qeverisës i Irakut dënoi sulmet e kohëve të fundit ndaj forcave të koalicionit dhe u kërkoi zyrtarëve amerikanë që t’u kalojnë irakianëve më shumë detyra që kanë të bëjnë me sigurinë.

Për shkak të shqetësimeve për gjendjen e sigurisë, Spanja, një anëtare e koalicionit, njoftoi këto ditë se do të tërheqë personelin civil nga Iraku.

Ministrja e jashtme e Spanjës, Ana Palacio tha të mërkurën se këtë fundjave ajo do të shkojë në Irak në kuadër të një vizite që përfshin ndalesa edhe në Izrael dhe Jordani. //kk//

XS
SM
MD
LG