Lidhje

Shqipëri: Ish-presidenti Meidani reagon ndaj ndryshimeve në statutin e PS-së - 2003-11-06


Kanë nisur menjëherë polemikat në gjirin e Partisë Socialiste në prag të kongresit të ardhshëm i cili do të zgjedhë dhe kryetarin e kësaj force politike.

Ndryshimet në statut të miratuara mbrëmë nga kryesia janë kundërshtuar të enjten nga kandidati për kryetar, ish-presidenti Rexhep Meidani.

Sipas tij vendimet e së mërkurës janë një kundërvënie e hapur ndaj frymës së demokracisë dhe përbëjnë një cënim të rregullave të miratuara nga kongresi i fundit i partisë, cënim të së drejtës së kandidimit dhe të kushteve të barabarta të konkurrimit në drejtimin e partisë.

Rregullat e miratuara nga kryesia parashikojnë që konkurrimi bëhet në kongres, se kandidaturat paraqiten në përfaqësi me firmën e 10 përqind të delegatëve apo se secili prej kanidatëve ka 15 minuta kohë për të paraqitur.

Sipas zotit Meidani, kandidatit alternativ nuk i krijohen kushte të barabarta me kryetarin aktual:

“Çdo kandidat alternativ mund të flasë vetëm në kongres në një kohë të përcaktuar por nuk merr pjesë në mbledhjet e konferencave në rrethe, pra nuk kontakton me përfaqësuesit në rrethe, aq më pak me bazën. Për njërin pra është e gjithë hapësira, për kryetarin aktual. Për çdo kandidat alternativ s’ka asnjë alternativë tjetër dhe do marrë atje fjalën si i ftuar. Është një pabarazi ekstreme. Cënohen ato parime të rëndësishme demokratike të barazisë dhe lirisë së komunikimit dhe vlerësimit”, deklaroi zoti Mejdani.

Por drejtues të Partisë Socialiste i kundërshtojnë komentet e ish- presidentit. Sekretari organizativ Agron Dibra shpjegon se kryetarit të partisë i ndalohet të bëjë propagandë për veten e tij apo kundër kandidatëve të tjerë, gjatë konferencave nëpër rrethe.

Ai sqaron edhe se kryetari aktual Nano do të marrë pjesë vetëm në 3 ose katër nga 38 konferencat e rretheve, ndërkohë që askush nuk pengohet të organizojë kontakte me bazën e partisë.

Socialistët saktësojnë se kuota prej 10 përqind e firmave të delegatëve nuk është një kusht I ri, por ekziston në statutin aktual dhe është zbatuar dhe në kongresin e mëparshëm.

Megjithatë sipas zotit Meidani do të ishte më normale pjesmarrja në konferenca, që kandidati alternativ të kishte përfaqësues qoftë në procesin e përzgjedhjes së delegatëve qoftë në atë të numërimit të votave.

Zoti Meidani ka kundërshtuar me forcë edhe masat ndëshkimore të parashikuara ndaj atyre që dalin kundër vendimeve të partisë:

“Ndryshimet e propozuara në statutin e partisë dhe të miratuara në mbledhjen e kryesisë janë një përpjëkje tjetër për të “shtetëzuar” dhe shndërruar partinë socialiste në një “parti të kryetarit”, madje dhe deri në një parti të modelit të pastr “parti-shtet”. Futja e koncepteve të përjashtimit nga radht e partisë të atyre që mendojnë dhe votojnë ndryshe në përputhje me parimet kushtetuese, dhënia e kompetencave të pakufishme kryetarit të partisë pas 12-13 vjetësh demokraci dhe pluralizëm është kthim prapa dhe një aplikim I modelit të tejkaluar partiak, duke I dhënë kështu një goditjë të rëndë demokracisë së brendshme në parti, tipar themelor I saj deri më sot”.

Ish-presidenti Mejdani deklaroi se shpreson që Komiteti i Përgjithshëm Drejtues të diskutojë me seriozitet propozimet e kryesisë dhe në përputhje me vendimin që do të marrë ky komitet, ai tha se do të përcaktojë hapat e mëtejshëm.//kk//

XS
SM
MD
LG