Lidhje

Shtypi amerikan dhe paanshmëria - 2003-11-06


Kohët e fundit, disa zyrtarë të lartë të administratës amerikane kanë akuzuar shtypin për shtrembërim të realitetit në Irak duke u përqendruar vetëm tek aspektet negative. Por, a është me të vërtetë shtypi amerikan i njëanshëm në lidhje me ngjarjet në Irak, apo qeveria po përpiqet t’ua hedhë fajin gazetarëve për dështimet e saj? Korrespondenti ynë, Doug Johnson, na sjell hollësi të tjera rreth kësaj çështjeje.

Duke folur kohët e fundit në lidhje me njoftimet e shtypit mbi Irakun, Presidenti Bush i krahasoi ato me filtrin. Presidenti Bush mendon se organet e shtypit përzgjedhin vetëm ato lajme që i përshtaten pikëpamjeve të tyre. Edhe sekretari i mbrojtes, Donald Rumsfeld, dhe Administratori amerikan i Irakut, Paul Bremer, kanë shprehur shqetësime të tilla.

Barton Gellman i Washington Postit pranon se njoftimet e përditshme të shtypit mbi ngjarjet në Irak rrallë janë pozitive.

”Kështu nuk dëgjojmë lajme të tilla, si ”shumica dërmuese e irakianëve nuk kanë qëlluar kurrë kundër një amerikani”. Por është fakt tashmë se çdo ditë kryhen rreth 30 sulme kundër trupave amerikane dhe që siguria është problem i madh për Irakun”.

Barton Gellman thotë se faktet në terren nuk mbështesin pretendimet optimiste të administratës amerikane.

Por shpesh, dy gazetarë intepretojnë të njëjtat fakte në mënyra të ndryshme. Robert Pollock i gazetës The Wall Street Journal, thotë se ka vënë re shenja pozitive mbi afrimin e trupave amerikane me popullsinë irakiane.

”Të gjithë në Irak të përshëndesin me dorë. Disa javë pas rënies së Bagdadit, njerëzit të ofronin çaj më shumë se mund të pije. Mendoj se njerëzit në Shtetet e Bashkuara nuk kanë një ide të saktë për jetën e ushtarëve tanë në Irak. Ata mendojnë se janë gjithmonë nervozë dhe sulmohen pa pushim dhe kjo nuk është e vërteta”.

Por Barton Gellmani, i cili ka qenë në Irak në të njëtjën kohë me Robert Pollockun, rikujton krejtësisht një gjendje tjetër shpirtërore të ushtarëve amerikanë që patrullonin në rrugët irakiane. Harold Meyerson i së përmuajshmes The American Prospect e pranon se, ndërkohë që shumë zhvillime në Irak janë pozitive, amerikanët janë të shqetësuar me të drejtë për aspektet negative dhe roli i shtypit është trajtimi i këtyre shqetësimeve.

Por sipas Robert Pollockut të The Wall Street Journal, shumë gazetarë amerikanë mendojnë se misioni i tyre është kërkimi i fakteve që kundërshtojnë atë që thotë qeveria, dhe kanë prirjen të kritikojnë këdo që është pushtet.

Studentëve të gazetarisë shpesh u thuhet se gazetari nuk duhet të lejojë që opinionet e tij personale të ndikojnë në mënyrën sesi ai paraqet faktet.

Por, disa analistë nuk janë të mendimit se një gazetar mund të ndajë plotësisht faktet nga opinioni. Ata thonë se çdo gazetari i duhet të vendosë se cilat fakte janë të rëndësishme dhe kuptimplote, detyrë që kërkon arësyetim profesional. Pikërisht për këtë zoti Pollock mendon se objektiviteti absolut gazetaresk është mit.

Megjithatë, shumica e gazetarëve pretendojnë se bëjnë maksimumin për të paraqitur të gjitha anët e një ngjarjeje. Por, ata theksojnë gjithashtu se misioni i tyre është të njoftojnë aspekte të papëlqyeshme dhe t’i trajtojnë deklaratet zyrtare me skepticizëm.

Joshua Hammer, korrespondent i revistës Newsweek në Jeruzalem, shkroi kohët e fundit se përderisa të vazhdojë vrasja e ushtarëve amerikanë dhe e irakianëve në atë vend, ngjarje të tilla do të zënë vend në faqe të parë.//ii

XS
SM
MD
LG