Lidhje

Grossman: Për Kosovën, duhen standardet përpara statusit - 2003-11-06


Ndihmës-sekretari amerikan i shtetit për cështje politike, Marc Grossman, deklaroi sot në Tiranë se diskutimi i statusit të Kosovës do të nisë pasi autoritetet dhe shoqëria e saj të plotësojnë standardet demokratike. Zoti Grossman i bëri këto komente gjatë një konference të përbashkët shtypi me zv.ministrin e jashtëm shqiptar, Luan Hajdaraga.

Ai tha se rishikimi i përparimeve që ka bërë Kosova në arritjen e standardeve do të bëhet në mesin e vitit 2005, madje dhe më shpejt, nëse është bërë një përparim i mjaftueshëm. “Nëse Kosova - tha ai - i plotëson standardet, atëherë ne do të fillojmë një proces për të përcatuar statusin e ardhshëm të saj. Nëse përparimi i bërë nuk është i mjaftueshëm, atëherë do të caktojmë një datë tjetër”. “Standardet përpara statusit” - theksoi zoti Grossman në mënyrë të përsëritur. Sipas tij, të gjithë institucionet dhe vendet perëndimore do ta ndihmojnë Kosovën që të arrijë standardet, por nëse ato nuk plotësohen diskutimi për statutin nuk do të fillojë.

Ai tha se kishte ardhur të diskutojë me autoritetet e Shqipërisë mbi strategjinë e miratuar nga Grupi i Kontaktit, dhe se besonte se kjo është një hap i rëndësishëm për cështjen e Kosovës, e cila gjendet në qendër të rajonit. Qëllimi i planit, sipas tij, është thjesht që të mbështetet zoti Holkeri, përfaqësuesi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB në Prishtinë. “Me fjalë të tjera kjo është quajtur edhe “Strategjia e Datës së Rishikimit” dhe mendojmë se është e rëndësishme për popullin e Shqipërisë të dijë se cfarë standardesh po përpiqen të plotësojë populli në Kosovë. Dhe ne duam - tha zoti Grossman - që populli i Kosovës të përqëndrohet në këto 8 standarde: Institucione demokratike funksionuese, Shtet ligjor, Liri e lëvizjes për të gjithë, Kthim i sigurtë dhe riintegrim i të zhvendosurve dhe refugjatëve, Ekonomi tregu, Të drejtat e pronës, Dialog me Beogradin, në Trupat e Kosovës të përfaqësohen edhe minoritetet. Ndihmës-sekretari Grossman e diskutoi të martën në Bruksel me Këshillin e Atlantikut Verior një plan për të shpejtuar procesin e integrimit euro-atlantik të Ballkanit, “për t’u kujtuar popujve që vizioni ynë është për një Europë të plotë, të lirë dhë në paqe”. “Pas 10 vjetësh angazhimi ushtarak, diplomatik dhe ekonomik, ne kemi vënë themelet për një përparim të vetqëndrueshëm në Ballkan. Dhe shqipëria është një model shumë i fortë në këtë drejtim – theksoi zoti Grossman. - Lufta e Bosnjes ka mbaruar, katastrofa humanitare në Kosovë u parandalua dhe shpërndamë konfliktin në Maqedoni dhe tani qëllimi ynë është që Ballkani të futet në Europë. Dhe të përshpejtojmë ditën kur do të kemi një demokraci të qëndrueshme, paqësore dhe multietnike”. Gjatë vizitës në Tiranë zoti Grossman u takua me presidentin Alfred Moisiu dhe kryeministrin Fatos Nano, të cilët i falenderoi për ndihmesën që ka dhënë Shqipëria në luftën globale kundër terrorizmit, për trupat që ka nisur në Irak, Afganistan, dhe në Bosnje.

Ndihmës sekretari Grossman erdhi në mesditë në Tiranë nga Shkupi, në vazhdim të një turneu që ai po zhvillon në disa kryeqytete ballkanike; më parë ai ishte në Beograd e Prishtinë.

//rd//

XS
SM
MD
LG