Lidhje

Shqipëri: Komisioni Evropian paralajmëron rrezikimin e negociatave - 2003-11-07


Komisioni europian bëri sërish të premten vërejtje serioze ndaj ecurisë së Shqipërisë në procesin e Stabilizim Asociimit.

Në përfundim të raundit të tretë të negociatave të zhvilluara dy ditët e fundit në Durrës dhe pas një mbledhjeje të grupit të punës së përbashkët, Reinhard Priebe, i cili drejton bisedimet për palën evropiane u shpreh i pakënaqur nga ritmi i reformave:

“Ne mendojmë se ritmi i reformave në këtë vend është tejet i ngadaltë dhe se qeveria duhet të marrë në konsideratë përshpejtimin e procesit të reformave”, tha zoti Priebe.

Komunikata zyrtare shkonte më tej duke paralajmëruar se “ky ritëm i ngadaltë rrezikon negociatat për marrëveshjen e Asociim Stabilizimit”, duke kërkuar nga autoritetet “të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të ndrequr të metat e identifikuara”.

“Procesi i reformave duhet të udhëhiqet nga një vullnet dhe vendosmëri politike e qartë për ta sjellë Shqipërinë më afër standarteve dhe integrimit europian”, theksoi zoti Priebe.

Sipas përfaqësuesve evropianë, problemet dhe përqëndrimi në çështjet tërësisht të brendshme politike duket se ka larguar vëmendjen dhe energjitë nga ndjekja e rekomandimeve të bëra për muaj me radhë nga Bashkimi Evropian.

Fushat që përbëjnë shqetësim vazhdojnë të mbeten lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, funksionimi i institucioneve demokratike, zbatimi i duhur i legjislacionit dhe stabiliteti në administratë veçanërisht në dogana.

Nga ana e tij kryeministri shqiptar Fatos Nano i deklaroi zotit Priebe se qeveria e tij ka vullnetin e fortë politik për të thelluar reformat dhe luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve e korrupsionit.

Ndërsa zëvendëskryeministrja Ermelinda Meksi u shpreh se të gjitha vërejtjet dhe sygjerimet do mirëpriten për të përmirësuar mundësitë e zbatimit të angazhimeve të marra.

Megjithatë duket se si takimet e fundit si ato të Grupit të Punës, ashtu dhe raundi i tretë i bisedimeve kanë shkaktuar jo pak acarim për palën shqiptare.

Zonja Meksi është ankuar për ritmet shumë të ulta të zbatimit të programit Cards ku pjesa kryesorte e fondeve I kushtohen drejtësisë dhe cështjeve të brendshme. Po ashtu zonja Meksi u ka kujtuar përfaqësuesve europian ndihmën e munguar në mbështetje të bisedimeve. Ajo është shprehur se ndërsa ka kaluar pjesa më e madhe e procesit të negociatave, ndihma e premtuar nuk ka nisur ende.

Bisedimet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian për marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit nisën në pranverë të këtij viti. Fillimisht Qeveria shqiptare shpresonte t’i mbyllte këto bisedime në fund të këtij viti. Më pas është deklaruar se kjo do të mund të arrihet në fillim të vitit tjetër.

Por vetë përfaqësuesit europian ngurrojnë të japin një afat. Një qëndrim i kuptueshëm përsa kohë ata vazhdojnë të bëjnë vërjetje thelbësore për ecurinë e Shqipërisë.//kk//

XS
SM
MD
LG