Lidhje

Organizatat fetare ndihmojnë në luftën kundër Sidës - 2003-11-08


Si pjesë e planit prej 15 miliardë dollarësh të Administratës së Presidentit Bush për të luftuar virusin HIV dhe Sidën në Afrikë dhe vende të tjera, Agjencia amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar po forcon lidhjet me organizata fetare që ofrojnë kujdes shëndetësor në vendet në zhvillim.

Agjencia amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar organizoi kohët e fundit në Washington një konferencë për përfaqësuesit e organizatave fetare aktive në luftën botërore kundër Sidës. Bashkërenduesi i Presidentit Bush për Sidën në botë, Randall Tobias tha se këto organizata kanë një rol të madh në luftën kundër virusit HIV dhe në lehtësimin e vuajtjeve të të infektuarve dhe do të kenë të drejtën të marrin fonde nga Shtetet e Bashkuara.

Zyrtarja e Zhvillimit Shëndetësor për Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, Kate Crawford thotë se në shumë vende në zhvillim, organizatat fetare janë i vetmi burim i kujdesit shëndetësor për njerëzit që kanë nevojë dhe që këto organizata të përjashtohen nga lufta kundër Sidës do të ishte e paimagjinueshme. “Në përgjithësi, sa më i varfër të jetë vendi, aq më kritik është roli i organizatave fetare në kujdesin dhe shërbimet shoqërore. Përveç kësaj, ato kanë mundësi më shumë se kushdo tjetër të depërtojnë nëpër komunitete, veçanërisht ato të izoluara dhe të varfëra. Shumë qeveri në Afrikë nuk janë të pasura dhe në të vërtetë janë organizatat fetare që sigurojnë pjesën më të madhe të kujdesit shëndetësor dhe shërbimeve mjekësore”, thotë ajo.

Në muajin maj, Kongresi miratoi Planin e Emergjencës të Presidentit Bush për Luftën kundër Sidës. Nisma 5 vjeçare, 15 miliardë dollarëshe përqendrohet në vende të Afrikës dhe Karaibeve, të goditura rëndë nga Sida. Synimi i nismës është që të sigurohen kura për të shpëtuar jetën e dy milionë vetëve të infektuar me virusin e HIV-it, parandalimin e sëmundjes tek të paktën 60 për qind e rasteve të reja në prag të infektimit dhe të sigurohet kujdesi shëndetësor për 10 milionë persona të infektuar dhe fëmijë që kanë mbetur jetimë si pasojë e Sidës.

Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar thotë se ka rregulla të qarta për mënyrën se si do të përdoren fondet. Për organizatat fetare, kjo do të thotë që asnjë pjesë e parave që jepet nga qeveria amerikane nuk mund të përdoret për veprimtari fetare. Përveç kësaj, këto organizata duhet t’ua japin ndihmën shëndetësore të gjithëve, pavarësisht nga përkatësia fetare.

Carl Stecker, këshilltar projekti i organizatës katolike “Catholic Relief Services” nuk sheh ndonjë problem me kufizimet.

“Pavarësisht nga përkatësia fetare ne kujdesemi për të gjithë, çdo person që vjen tek ne dhe që kualifikohet për kujdesin shëndetësor që ne ofrojmë”, thotë ai.

Administrata e Presidentit Bush synon ta fillojë Planin e Emergjencës për Luftën kundër Sidës vitin e ardhshëm, me një shpenzim fillestar prej dy miliardë dollarësh.//kk//

XS
SM
MD
LG