Lidhje

Projekt-kushtetuta afgane pritet me kritika të ashpra - 2003-11-09


Projekt-kushtetuta e Afganistanit është pritur me kritika të ashpra. Disa vëzhgues kundërshtojnë kompetencat e mëdha që i jepen presidentit, ndërkohë që disa të tjerë thonë se nuk u kushtohet vemendje e duhur të drejtave të njeriut.

Në bazë të projekt-kushtetutës afgane, presidenti do të kishte kompetenca shumë të mëdha, edhe më shumë se sa udhëheqësit në vende të tjera me sisteme të fuqishme presidenciale, si Franca dhe Shtetet e Bashkuara.

Përveç kompetencave të zakonshme presidenciale, si emërimi i kabinetit ose hartimi i buxhetit, presidenti afgan do të emëronte gjithashtu një të tretën e anëtarëve të dhomës së lartë të asamblesë kombëtare.

Dhe kur asambleja kombëtare të mos jetë në seancë, presidenti do të lejohej të miratonte ligje të përkohshme nëpërmjet dekreteve, deri sa ligjvënësit të mblidheshin përsëri.

Projekt-kushtetuta u bë e njohur më 1 nëntor. Ajo përbën një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një qeverie të përhershme në Afganistan.

Ideja e një udhëheqësi të vetëm të fuqishëm është pritur keq nga disa grupe në komunitetin politik të Afganistanit, si Xhamiat e Islami, parti e kryesuar nga ish presidenti afgan, Burhanudin Rabani.

Një zëdhënës i kërij grupi, Sajed Inatollah Shadab, tha se një president me kompetenca të shumta përbën rrezik për vendin.

“Në kushtet aktuale të Afganistanit, thotë ai, partia ime mendon se dhënia e një autoriteti të tillë të pakufizuar një personi të vetëm shënon një hap në rrugën drejt diktaturës.”

Sipas zëdhënësit, partia Xhamiat e Islami, udhëheqësit e së cilës janë kryesisht të pakicës taxhike të Afganistanit, do të parapëlqente një sistem parlamentar, duke bërë kështu të mundur ndarjen më shumë të pushtetit mes komuniteteve të shumta të Afganistanit.

Ahmed Nader Nadery, i cili kryeson Komisionin e Pavarur Kombëtar të të Drejtave të Njeriut, thotë se shumica e afganëve janë instinktivisht kundër çdo ideje të autoritarizmit.

Zoti Nadery thotë se Komisioni i të Drejtave të Njeriut është më shumë i shqetësuar kur bëhet fjalë rreth gjuhës së përdorur në projekt-kushtetutë lidhur me liritë individuale.

Projekt-kushtetuta vetëm përmend objektivin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, por e lë në kompetencë të ligjit kombëtar që të vendosë se si duhen mbrojtur këto të drejta. Zoti Nadery thotë se një gjë e tillë krijon kushte për abuzim.

“Dispozitat kryesore të projekt-kushtetutës, pjesë e Kartës së të Drejtave, janë të përcaktuara me ligj, gjë që nuk është e pranueshme për ne. Kjo mund të krijojë kufizime në të drejtat e qytetarëve. Çdo qeveri, duke u bazuar në idenë e vet, mund të vendosë kufizime me ligj.”

Kritikë të tjerë të projekt-kushtetutës kundërshtojnë deklaratat e paqarta rreth krijimit të një republike islamike.

Neni i tretë e kushtetutës thotë se asnjë ligj nuk mund të jenë në kundërshtim me islamizmin, por nuk përmend zbatimin e rreptë të ligjit mysliman, si në vende të tilla si Irani dhe Arabia Saudite.

Nën-kryetari i lëvizjes së unitetit kombëtar, Abdul-Hakim Noorzai, thotë se hartuesit e projekt-kushtetutës duhet të kishin qënë më të qartë.

“Ne nuk e dimë përkufizimin e Republikës Islamike. A duan ata një republikë si Irani, po një republikë tjetër islamike si Pakistani.”

Përkrahësit e projekt-kushtetutës thonë se ky dokument është i hapur për dispozita të tjera dhe është thjesht një pikë fillimi. //kk//

XS
SM
MD
LG