Lidhje

Bremer: në Irak mund të kenë hyrë qindra ekstremistë të huaj - 2003-11-09


Administratori amerikan i Irakut tha se qindra ekstremistë të huaj kanë arritur të hyjnë në Irak dhe po planifikojnë sulme të reja që synojnë të pengojnë përpjekjet e rindërtimit. Zoti Bremer tha se për t’iu kundërvënë elementëve të tillë ai po shqyrton mundësinë e krijimit të një force speciale të përbërë nga irakianë që e njohin vendin dhe që janë në gjendje të dallojnë elementë të huaj. Korrespondenti ynë Greg LaMotte njofton nga Bagdati.

Administratori amerikan në Irak Paul Bremer, tha se qindra terroristë nga Siria, Sudani, Arabia Saudite dhe Jemeni kanë hyrë në Irak. Zoti Bremer tha se krahas përparimit të përpjekjeve për rindërtimin e vendit, sulmet terroriste mund shtohen.

Zoti Bremer tha se sulmet terroriste është vështirë të ndalohen dhe ato do të shtohen më tej në se forcat e koalicionit nuk përmirësojnë aftësitë për të grumbulluar më shumë informacione zbulimi.

Ai tha se po shqyrton një propozim të Ministrisë së Brendshme irakiane për të krijuar një forcë speciale, të përbërë nga anëtarë të grupeve të armatosura që janë të lidhura me parti të ndryshme në Irak. Po ashtu, ai tha se, në të mund të përfshihen edhe disa anëtarë të ish shërbimit të zbulimit të udhëheqësit të përmbysur Sadam Husein. Por kjo njësi e re, tha ai, do të veprojë në bazë të rregullave të përcaktuara qartë.

Zoti Bremer tha se administrata amerikane nuk ka plane për t’u tërhequr para kohe nga Iraku. Tërheqja, theksoi ai, do të kishte pasoja fatale për Irakun dhe për mbarë Lindjen e Mesme.

Ai tha se beson se qeveria e ardhshme e Irakut do t’u kërkojë forcave të koalicionit të qëndrojnë në këtë vend për të ndihmuar në ruajtjen e stabilitetit.// lk //

XS
SM
MD
LG