Lidhje

KOSOVË: Këshilli I Evropës harton projektin për decentralizimin e Kosovës - 2003-11-10


Zyrtarë të lartë të Këshillit të Evropës dhe institucioneve të Kosovës, thanë sot se, decentralizimi i pushtetit në Kosovë, nuk do të fillojë pa mënjanimin e të gjitha strukturave paralele. Ata i bënë këto komente në përfundim të punës së Misionit të Këshillit të Evropës, i cili tash e nëntë muaj me radhë punoi në një projekt për decentralizimin e pushtetit.

Shefi i këtij Misioni, ambasadori Carlo Civileti i dorëzoi sot dokumentin me rekomandime reth kësaj cështjeje kryetarit të Parlamentit të Kosovës, Nexhat Daci, duke nënvizuar se decentralizimi i propozuar prej misionit të tij pritet të fillojë gjatë vitin 2006, ndërsa ai mbështetet në parimin gjeografik por jo në atë etnik. Ambasadori Civilleti tha se “është i bindur që kjo reformë do të ndihmojë në shkrirjen e strukturave paralele” duke ju përgjigjur shqetësimeve të vazhdueshme të përfaqësuesve politik shqiptarë se një decentralizim që do të mund të mbështetej në parimin etnik, duke përforcuar strukturat paralele, do të ishte i dëmshëm dhe i papranueshëm.

Kryetari i Parlamentit Nexhat Daci tha se në Kosovë nuk do të ketë decentralizim para shpërbërjës së institucioneve paralele, ndërsa parlamenti nuk do të miratojë ligje për legalizimin e sistemeve të tilla. Për zotin Daci, çështja më e rëndësishme është që procesi i decentralizimit, nuk do të fillojë para vitit 2006, kur pritet, siç tha ai, avancimi i statusit politik të Kosovës. “Dhe mbi të gjitha ka një rëndësi të veçantë sepse implementimi i këtij rekomandimi fillon në vitin 2006, atëherë kur ne mendojmë që edhe statusi është i zgjidhur dhe do të jenë zgjedhjet vendore dhe nuk do të ketë shtesë të veçantë ekonomike”, tha zoti Daci.

Decentralizimi i pushtetit është përgatitje për krijimin e një ligjshmërie në pajtim me standardet evropiane, tha zoti Daci, duke nënvizuar se projekti krijon mundësi më të mira për qytetarët e Kosovës që të realizojnë të drejtat e tyre.

Sidoqoftë, javën e ardhshme pritet që ky projekt tu dorëzohet edhe zyrtarisht, në një ceremoni të veçantë, autoriteteve më të larta ndërkombëare dhe vendore të cilat duhet të vazhdojnë më tutje procesin e miratimit dhe zbatimit të tij… //ss//

XS
SM
MD
LG