Lidhje

11 Nëntori-Dita e Veteranëve - 2003-11-10


Më 11 Nëntor, komunitetet në mbarë Shtetet e Bashkuara zhvillojnë ceremoni për nder të Ditës së Veteranëve. Zhvillohen parada, bandat muzikore luajnë marrshe të ndryshëm, kurse presidenti e zyrtarë të tjerë mbajnë fjalime. Ushtarët qëllojnë në ajër për të kujtuar ata që humbën jetën në shërbim të vendit të tyre.

Por ka një tjetër ditë të shënuar për të kujtuar pjesëtarët e shërbimeve të armatosura që janë vrarë dhe kjo është Dita e të Rënëve.

Kongresi Amerikan dëshëronte që vendi të dëgjonte histori nga veteranët më të vjetër. Shumë prej tyre janë tepër të moshuar. Çdo ditë vdesin më shumë se 1 mijë veteranë. Kështu në vitin 2000, Kongresi krijoi një program për t’i mbajtur gjallë këto kujtime për brezat e ardhshëm të amerikanëve. Ky program quhet ”Projekti për Historitë e Veteranëve”.

"Qendra Folklife" e Librarisë së Kongresit grumbullon histori të regjistruara e të shkruara nga veteranët, si dhe objekte përkujtimore.

”Projekti për Historitë e Veteranëve” përfshin persona që kanë shërbyer në Luftën e Parë e të Dytë Botërore, në Luftën e Koresë, të Vietnamit dhe atë të Gjirit Persik në vitin 1991. Persona që kanë shërbyer në profesione civile për llogari të ushtrisë, janë gjithashtu të ftuar të marrin pjesë në këtë program.

Alvin York është nderuar si një nga heronjtë më të mëdhenj amerikanë të Luftës së Parë Botërore. Ai rridhte nga një familje e varfër në shtetin Tennessee dhe ishte kundër të gjitha luftrave. Ai është shprehur se besimi i tij fetar nuk ia lejonte të vriste. Por ai u detyrua të shërbente në ushtri dhe u dërgua të luftonte kundër gjermanëve që kishin pushtuar Francën. Ai qëlloi shumë ushtarë armiq dhe ka meritën për kapjen rob të 132 ushtarëve gjermanë. Shtetet e Bashkuara dhe Franca e kanë nderuar rreshterin Alvin York për trimërinë e tij.

Lufta e Dytë Botërore përfundoi në orën 11 të ditës së 11 Nëntorit 1918. Një vit më vonë Presidenti Woodrow Wilson e deklaroi 11 Nëntorin si Ditën e Armëpushimit, në nderim të atyre që shërbyen në forcat e armatosura amerikane gjatë Luftës së Parë Botërore.

Shumica e amerikanëve që kanë shërbyer në Luftën tjetër Botërore në Evropë dhe Paqësor, ishin 18 apo 19-vjeçarë. Ata ishin fëmijë të veteranëve të Luftës së Parë.

Në luftën e Dytë Botërore amerikanët mësuan emra të tillë, si Audie Murphy apo Carl Klett.

Audie Murphy vinte nga një familje bujqish në Teksas. Ishte fare i ri kur hyri në ushtri dhe u dërgua në Evropë. Gjatë një periudhe tre-vjeçare ai mori 33 medalje trimërie. Vrau më shumë se 240 ushtarë armiq dhe kapi robër mjaft të tjerë. Pas lufte ai u bë aktor i famshëm i Hollywoodit.

Carl Klett ishte pilot nga shteti Indiana dhe drejtonte aeroplane furnizimi. Në vitin 1944 ai kishte kryer 75 fluturime mbi një zonë të rrezikshme malore në Birmani. 75 ishte numri i fluturimeve që duhej të kryente një pilot për t’u kthyer në Shtetet e Bashkuara.

Por togeri Klett dëgjoi se një spital ushtarak në xhunglat birmaneze kishte nevojë për ilaçe e pajisje dhe doli vullnetar të bënte edhe një fluturim tjetër. Avioni u rrëzua dhe ai humbi jetën.

Në vitin 1954 Kongresi vendosi t’ia ndryshonte emrin Ditës së Armëpushimit, e cila deri atëherë shërbente për të nderuar edhe ata që morën pjesë në Luftën e Dytë Botërore. Kjo ditë e shënuar u quajt Dita e Veteranëve. Deri atëherë gati 6 milionë amerikanë të tjerë kishin shërbyer në një luftë tjetër, atë të Koresë.

Shumë amerikanë të ditëve tona janë rritur me histori të anëtarëve të familjes që luftuan në Vietnam, Kore apo fushëbetejat e Luftës së Dytë Botërore. Histori të tjera do të tregohen për luftra në vende të tilla, si Afganistani apo Iraku. Këtë 11 nëntor, shumë amerikanë po mendojnë për të afërmit e tyre që ndodhen ende në luftë larg shtëpisë.// lk //

XS
SM
MD
LG