Lidhje

Komiteti Drejtues i PS miratoi ndryshimet në statut - 2003-11-10


Reagimet e para të grupit të deputetëve socialist që mbështesin zotin Ilir Meta ndaj ndryshimeve në statut dhe program, të miratuara javën e shkuar nga kryesia kishin qenë mjaft të ashpra. Epitetet parti-shtet, apo metoda staliniste, të përdorura prej tyre, për këdo ishin dukur një paralajmërim për një përplasje të fortë në mbledhjen e sotme të Komitetit të Përgjithshëm Drejtues të Partisë Socialiste. Por asgjë e tillë nuk ndodhi.

Ndryshimet kaluan thuajse të paprekura dhe pa kundërshtime. Po ashtu u miratuan dhe pjesa dërrmuese e propozimeve të bëra dy ditë më parë nga ish presidenti Rexhep Mejdani, deri tani i vetmi kandidat, bashkë me kryemnistrin Fatos Nano për kreun e partisë.

Zoti Mejdani kishte kërkuar mes të tjerave, mundësinë e pjesëmarrjes në konferencat e rretheve, gjë e cila u pranua, duke krijuar mundësinë që edhe ai të zhvillojë fushatë përpara kongresit. Kandidatit për kryetar do t’i jepet e drejta të ketë vëzhgues gjatë votimit në kongres, por jo në procesin e përzgjedhjes së delegatëve.

Megjithëse mbledhja e sotme kaloi pa debate, kjo nuk ndryshoi asgjë në klimën brenda socialistëve dhe në marrëdhëniet e brendshme. Tonet e qeta të leximit të fjalës së tij, apo dhe ftesat që gjithkush të ngrihet mbi interesat personale, nuk fshehën sulmet e qarta që kryeministri Fatos Nano bëri ndaj kundërshtarëve të vet në parti.

Zoti Nano pranoi se tkurrja e elektoratit në votimet e 12 tetorit ishte shkaktuar nga konfliktet e brendshme dhe shkeljet e rregulloreve si dhe ndaj shpërdorimit të problemeve të ndjeshme të shoqërisë. Ai u shpreh se fenomenet negative nuk luftohen duke kërkuar rrokada pa fund ministrash, apo duke recituar një fjalor të vjedhur antikorrupsion.

Kryeministri deklaroi se paktet e brendshme janë dëmtuar rëndë apo dhe janë prishur, se është rikthyer gjuha e konfiktualitetit, derisa u arrit siç tha ai, në cënimin e shumicës në parlament në katër votime. Kjo, tha kryeministri, ka ndodhur për shkak se qeveria po sulmon informalitetin në ekonomi, korrupsionin dhe klientelizmin si dhe krimin e organizuar:

“Për të gjitha këto ne prisnim që segmentet dhe komunitetet kriminale të sulmuara, të shfaqnin rezistencën e vet dhe tashmë po e përballojmë këtëreagim. Ne e prisnin këtë kundërveprim dhe ishin siç jemi të përgatitur për të. Por ne nuk prisnim këtë sulm të politikës dhe të atyre që i shërbejnë krimit direkt apo indirect, me vetëdije apo me dashje. Ne do ta vazhdojmë këtë luftë, duke ndjekur dy rrugë të denoncimit të atyre që janë lidhur me botën e krimit: denoncimin politik dhe atë ligjor”,- tha zoti Nano.

Ai la të kuptohet qartë se ai nuk ka ndërmend të bëjë më kompromise vetëm për hir të solidaritetit të brendshëm, por se mbështet kohezionin dhe solidaritetin, në dobi të reformave dhe kundër klientelizimit e abuzimit me pushtetin.

“Nuk mund të pranohet më, që në emër të privilegjeve të pushtetit abuziv, individë apo grupe të ndryshme t’i bëjnë shantazh partisë socialiste dhe aq më pak, mandatit të saj për të qeverisur”, deklaroi zoti Nano, duke shtuar se “në partinë tonë të gjithë janë të lirë të kandidojnë, konkurrojnë dhe votohen, po aq sa janë edhe të detyruar të japin llogari përballë anëtarësisë, duke respektuar vendimet e shumicës si dhe rregullat tona të brendshme. Të gjithë anëtarët e përfaqësuesit e Partisë Socialistë mbeten të lirë për vendimet dhe veprimet e tyre. Në fund, në emër të anëtarësisë dhe zgjedhësve tanë, vendos kongresi”,- tha ai

Sipas zotit Nano, të gjithë ata që shkelin vendimet dhe rregullat e votuara duhet ta dinë se nuk do të lejohen nga anëtarësia socialiste dhe do ta lenë veten jashtë derës së partisë.// lk //

XS
SM
MD
LG