Lidhje

Shqipëria, Maqedonia dhe Kroacia zyrtarisht kandidate për në Nato - 2003-11-10


Rreth 300 deputetë nga të 19 vendet e Natos dhe nga 20 vende që aspirojnë të bëhen anëtarë të saj po marrin pjesë në sesionin e 49 vjetor të Asamblesë Parlamentare të Aleancës e cila po mbahet në Orlando të shtetit Florida. Asambleja e Natos është një forum dialogu ku diskutohen çështje të sigurisë si dhe probleme politike dhe ekonomike. Objektivi i saj kryesor është nxitja e mirëkuptimit të ndërsjellë për sfidat kryesore me të cilat përballet Natoja.

Përveç çështjeve të tilla si ndikimi i krizës irakiane mbi Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë të Natos, diskutimet përfshijnë edhe luftën kundër terrorizmit dhe kërcënimin që vjen nga armët e shkatërrimit në masë. Pjesmarrësit po diskutojnë edhe mbi rolin e ri të Natos në Afganistan dhe në Ballkan, problemet e reja që dalin nga krimi i organizuar, tensionet në marrëdhëniet tregtare Amerikë-Evropë dhe raundi i tanishëm i zgjerimit të Natos.

Shqipëria, Maqedonia dhe Kroacia janë tre vendet që mbetën jashtë Natos në raundin e kaluar të pranimeve në Aleancë. Nicholas Burns, Përfaqësues i përhershëm i Shteteve të Bashkuara në Nato, tha se ai nuk parashikon që tre vendet të ftohen në vitin 2004 për tu pranuar.

“ Tre vende janë tani zyrtarisht kandidate: Shqipëria, Maqedonia dhe Kroacia. Mendoj se që të tre po ecin mirë, po bëjnë përpjekje serioze por ende kërkohet punë. Prandaj nuk do të parashikoja që këto vende mund të ftohen për pranim në vitin 2004 dhe mendoj se edhe ato vetë nuk do të shpresonin të ftoheshin më 2004. Për këtë do të duhet më shumë kohë. Nga ana tjetër, si Bosnja edhe Serbia kanë lënë të kuptohet se do të donin të kiheshin parasysh në të ardhmen. Por e përsëris se ne do të dëshironim të shikonim më shumë punë nga të gjitha këto vende si në aspektin politik edhe në atë ushtarak. Dera mbetet e hapur,” tha zoti Burns.

Përfaqësuesi i Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Natos, deputeti Sabit Brokaj, i tha Zërit të Amerikës se megjithë reformat në ushtri, Shqipëria ka nevojë të madhe për ndihmë ekonomike. Ai tha gjithashtu se Shqipëria duhet të përshpejtojë reformat për t’u anëtarësuar në Nato.

“Ne kemi një konflikt të madh lidhur me dëshirën shumë të madhe për tu përfshirë në Nato, madje në këtë pikëpamje e shohim veten anëtarë, me shpejtësinë e hapave konkretë për t’u përfshirë në Nato natyrisht jemi të pakënaqur nga ritmi i hapave tona. Po përpiqemi që ato të jenë më të shpejta në mënyrë që data e përfshirjes në Nato të jetë sa më e shpejtë. Në fakt, ne kemi hadhur hapa mjaft të mirë në reformën e forcave të armatosura, por probleme kryesore kemi zhvillimet ekonomike dhe demokratike në vend.”

Ndërhyrja ushtarake në Irak është çështja që shkaktoi më shumë përçarje brenda Natos. Por ambasadori Burns beson se kjo nuk do të ndikojë mbi praninë e aleancës në Evropën Juglindore.

“Mendoj se Shtetet e Bashkuara, Natoja dhe Bashkimi Evropian janë dakord se si Natoja edhe Bashkimi duhet të jenë të pranishëm në Evropën Juglindore. Natyrisht ne kemi forca paqeruajtëse në Bosnje dhe në Kosovë, të cilat po shkojnë shumë mirë, kemi forcën paqeruajtëse të Bashkimit Evropian në Maqedoni dhe midis këtyre dy organizatave ka shumë bashkëpunim. Mendoj se ky bashkëpunim do të vazhdojë në të ardhmen, tha ambasadori Burns.”

Assembleja e Natos po debaton gjithashtu një sërë rekomandimesh politike të ciloat i dërgohen pastaj Këshillit të Atlantikut Verior dhe qeverive anëtare të Natos. Shumë nga reformat e Natos e kanë burimin tek asambleja e saj. Asambleja përgjigjet gjithashtu për ruajtjen e komunikimit midis NATOs dhe ligjvënësve në vendet anëtare.

Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve Doug Bereuter, President i Asamblesë Parlamentare të Natos është në favor të idesë që evropianët të mbajnë një barrë më të madhe përgjegjësie në Evropë.

“ Kombet e Bashkuara dështuan keqazi në operacionet paqeruajtëse prandaj kjo barrë i ra Natos. Fillimisht në Bosnje, pastaj në Kosovë. Natyrisht tashmë është bërë kalimi nga OKB-ja tek Natoja dhe tani tek operacionet e Bashkimit Evropian siç po ndodh në Maqedoni,” tha zoti Bereuter.

Sot në asamble do të flasin Sekretari i Përgjithshëm i Natos, Lord Robertson, Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Natos, Doug Bereuter, Guvernatori i Floridës, Jeb Bush, dhe zyrtarë të administratës amerikane.

XS
SM
MD
LG