Lidhje

Presidenti Bush: Qeveritë në Lindjen e Mesme duhet ta dëgjojnë mesazhin e popullit për demokraci - 2003-11-11


Në mbarë Afrikën Veriore dhe Lindjen e Mesme njerëzit po kërkojnë që sundimi autoritar t’i hapë rrugë demokracisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Presidenti George Bush ka thënë se qeveritë në Lindjen e Mesme duhet ta dëgjojnë këtë mesazh.

“Ndërkohë që ndodhin ndryshime në rajonin e Lindjes së Mesme, ata që janë në pushtet duhet të pyesin veten nëse do të kujtohen si kundërshtarë të reformave apo si udhëheqës së tyre. Në Iran kërkesa për demokraci është e fuqishme dhe përfshin një pjesë të mirë të popullsisë, ashtu siç u dëshmua muajin e kaluar, kur mijëra vetë u mblodhën për t’i uruar mirëseardhjen në atdhe Shirin Ebadit, fituese e Çmimit Nobel për Paqe. Regjimi i Teheranit duhet t’u kushtojë vëmendje kërkesave të popullit iranian ose do të humbasë pretendimin e fundit për legjimitet.”

Shirin Ebadi flet për shumë iranianë të lodhur nga sundimi shtypës i klerikëve myslimanë. Një nga gjykatëset e para femra në Iran, zonja Ebadi u detyrua të largohej nga atdheu, kur regjimi ekstremist mysliman erdhi në fuqi më 1979. Mbrojtëse e hapur e të drejtave të njeriut, veçanërisht të grave, ajo u burgos në vitin 2000.

”Do të kemi shtet juridik ditën, kur gratë të trajtohen njësoj si burrat në bazë të ligjit”, është shprehur zonja Ebadi.

Demokracia në Iran, theksoi Presidenti Bush, do të pasqyrojë historinë dhe kulturën e ndritur iraniane. Ai tha se, duke përkrahur të drejtat dhe aspiratat e iranianëve dhe të popujve të tjerë në Lindjen e Mesme, Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë në vendosjen e paqes e të begatisë për të gjithë rajonin.

“Prandaj, Shtetet e Bashkuara kanë përqafuar një politikë të re, një strategji të qartë për liri në Lindjen e Mesme. Kjo strategji kërkon të njëjtën këmbëngulje, energji e idealizëm që kemi treguar më parë dhe do të japë të njëjtat rezultate. Ashtu si në Evropë, Azi e në çdo rajon tjetër të botës, përparimi i lirisë sjell paqe”.

Presidenti Bush e pranoi se në të kaluarën Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera demokratike kanë bërë një gabim serioz duke mbyllur sytë dhe bërë kompromis me mungesën e lirisë në Lindjen e Mesme. Këto kompromise kanë dështuar, siç tha Presidenti Bush, sepse qendrueshmëria nuk mund të arrihet në kurriz të lirisë. //az//

XS
SM
MD
LG