Lidhje

SHBA i ofrojnë Arabisë Saudite më shumë bashkëpunim kundër terrorizmit - 2003-11-11


Zoti Armitage, i cili mbërriti në Arabinë Saudite vetëm disa orë pas sulmit të së shtunës në kuadër të një vizite të planifikuar më parë, u tha gazetarëve se është krejt e qartë se al-Qaida kërkon, siç u shpreh ai, të rrëzojë qeverinë saudite dhe familjen mbretërore në pushtet.

Sipas zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Richard Boucher, zoti Armitage ofroi rritjen e bashkëpunimit kundër terrorizmit ndërmjet dy vendeve, tashmë në nivele të konsiderueshme, dhe që sauditët, siç tha ai, të bëhen partnerë me pjesëmarrje të plotë në luftën kundër terrorizmit, po qe se kështu dëshirojnë autoritetet saudite.

Zëdhënësi Boucher tha se sulmi i së shtunës, i cili synonte të godiste një kompleks me ndërtesa të banuara kryesisht prej arabësh nga vende të huaja, të cilët jetojnë në Riad, përbën një ndryshim të madh në taktikat terroriste në Arabinë Saudite, meqenëse objektivi i sulmit ishin, me sa duket, jo interesat amerikane atje, por vetë qeveria saudite.

”Shpërthimi tregon edhe një herë se nuk përjashtohet asnjë objektiv, se al-Qaida, siç mendohet, apo kushdo që është përgjegjës për këtë sulm, nuk po godet vetëm perëndimorët apo të huajt. Ata po sulmojnë gjithashtu arabët. Ata po sulmojnë këdo, përfshirë qeverinë saudite. Po sulmojnë këdo që përpiqet të organizojë shoqërinë dhe të ecë në drejtim pozitiv”.

Zëdhënësi Boucher tha se bashkëpunimi amerikano-saudit dhe shkëmbimi i informacionit mbi al-Qaidën e kërcënime që lidhen me të, janë rritur së tepërmi pas shpërthimeve në tre komplekse banimi në Riad majin e kaluar, të cilat shkaktuan vdekjen e më shumë se 30 vetëve, përfshirë 8 amerikanë.

Por, tha ai, pas një shpërthimi të tillë, si ai i së shtunës, dilet në përfundimin se të dy qeveritë mund të bëjnë më tepër.

Takimi i zotit Armitage me Princin e Kurorës, Abdullah, pasoi një telefonatë të djelën të Presidentit Bush me sundimtarin saudit, gjatë së cilës presidenti shprehu ngushëllimet për viktimat e sulmit të Riadit dhe tha se Shtetet e Bashkuara qendrojnë përkrah Arabisë Saudite në luftën kundër terrorizmit.

Zëdhënësi Boucher tha se tre misione diplomatike amerikane në Arabinë Saudite do të qendrojnë të mbyllura, të paktën, deri nga fundi i kësaj jave, megjithatë, tha ai, personeli i ambasadës amerikane dhe familjet e tyre në Riad nuk pengohen më të largohen nga zonat e tyre të banimit.

Departamenti i shtetit paralajmëroi publikisht të premtën, një natë para sulmit, se kishte informacion të posaçëm e të besueshëm në lidhje me sulme të mundshme kundër interesave amerikane në Arabinë Saudite.

Zyrtarët në Departamentin e Shtetit bënë dje një paralajmërim të ngjashëm në lidhje me veprimtari të mundshme terroriste në Sudan dhe konfirmuan se ambasada amerikane në Kartum do të qendrojë gjithashtu e mbyllur deri në fund të javës.

Zyrtarët nuk pranuan të thonin nëse paralajmërimi i Sudanit kishte lidhje me al-Qaidën. Në fillim të këtij muaji, ambasada në Kartum bëri një njoftim për amerikanët atje në lidhje me kërcënimet nga ana e fraksioneve ekstremiste sudaneze, të cilat kundërshtojnë rolin amerikan në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës civile ndërmjet veriut dhe jugut të vendit.

//ze//

XS
SM
MD
LG