Lidhje

Intervistë me autorin dhe gazetarin James Pettifer - 2003-11-11


James Petiffer, autori i gidës turistike për Shqipërinë dhe Kosovën dhe i librit “Çështja e Re e Maqedonisë”, është duke shkruar një libër për Kosovën që pritet të dalë vitin e ardhshëm. Në një intervistë me kolegun Arben Xhixho, gazetari dhe autori Pettifer jep fillimisht mendimet e tij për konfliktin Nano-Meta në Partinë Socialiste të Shqipërisë.

VOA: Si vëzhgues dhe studiues i zhvillimeve në Shqipëri si e shikoni konfliktin e fundit midis kryeministrit Nano dhe zotit Meta. A kemi të bëjmë këtu me një luftë të bazuar mbi parimet, apo kemi të bëjmë më tepër me një luftë bazuar në interesat e klaneve të ndryshme?

James Pettifer: Një pjesë e mirë e ka të bëjë me personalitetet e tyre. Konflikti mes tyre po vazhdon prej vitesh. Disa herë fiton zoti Meta, disa herë zoti Nano. Por në fund, ata i përkasin të njejtës parti dhe do të vazhdojnë kështu, pasi zoti Nano edhe kur është detyruar të largohej nga pushteti, prapë gëzonte mbështetjen e bazës së partisë, ndërsa mbështetja për zotin Meta është e përqëndruar më shumë në një zonë të vendit, prandaj për të është më e vështirë të sigurojë mbështetjen e shumicës së partisë.

VOA: A mendoni se pas luftës së tanishme Nano-Meta, ata mund të qëndrojnë në të njejtën parti. A mundet Partia Socialiste të funksionojë pas Kongresit të saj me të dy këto personalitete brenda radhëve të saj?

James Pettifer: Pa dyshim kjo që po ndodh nuk ndihmon. Nuk do të çuditesha, në se do të shikoja disa të largoheshin nga partia për t’u bashkuar me parti më të vogla, ose ndoshta edhe për t’u larguar fare nga politika. Problemi me konflikte të tilla është se ato dëmtojnë politikën në përgjithësi, pasi siç shkruante kohët e fundit kolegia ime Miranda Vickers, i bën njerëzit të lodhur me politikanët, cinikë, që të mendojnë se do të ishte më mirë pa ta. Por mos të harojmë se konflikte të kësaj natyre ndodhin brenda partive politike në shumë vende.

VOA: Kohët e fundit Bashkimi Evropian e kritikoi Shqipërinë për vonesa në kryerjen e reformave, gjë që mund rrezikojë bisedimet për asociim stabilizimin. Sa ka ndikuar konflikti i fundit, lufta Nano-Meta, a mos po u heq kjo luftë energjitë politikanëve shqiptarë për t’u marrë me problemet e vendit?

James Pettifer: Nuk mendoj se është ky problemi kryesor. Problemi më i madh është se disa institucione në Shqipëri kanë ende nevojë për t’u zhvilluar. Ato ende nuk i kanë aftësitë të bëjnë ato që kërkon Bashkimi Evropian. Dhe kjo do të ishte kështu edhe në se nuk do të egzistonte konflikti Nano-Meta. Shqipëria ka nevojë për ndërtimin e demokracisë në institucione. Por në të njejtën kohë Bashkimi Evropian nuk duhet të harrojë se Shqipëria ndodhet në një rajon të vështirë dhe Bashkimi Evropian nuk është qeveria e Shqipërisë. Shqipëria është një shtet sovran dhe kjo duhet respektuar.

VOA: Le të kalojmë në një temë tjetër, ju jeni duke shkruar, jeni në përfundim të një libri të ri për Kosovën, që pritet të botohet vitin e ardhshëm. Për çfarë është libri?

James Pettifer: Përgjithësisht është një libër me kujtime nga puna ime disa vjeçare në Kosovë në kohën e regjimit të Millosheviçit. I shqetësuar se disa aspekte të kësaj Kosove kishin filluar të harroheshin, apo siç ka filluar të harrohet periudha para lufte, vuajtjet e këtyre njerëzve. Mendoj se njerëzit, sidomos në komunitetin ndërkombëtar, do ta kuptonin më mirë gjendjen sot në Kosovë, në se do të dinin më shumë për këto. Po ashtu në libër jam përpjekur të tregoj se si e ka pasqyruar shtypi Kosovën. Unë vetë kam qënë i përfshirë në këtë mbulim për 10 ose 12 vjet duke shkruar në gazetat britanike dhe ato amerikane. Mendoj se perceptimi i luftës në Kosovë nga shtypi është interesant. Dhe tani që pavarësia po afrohet, mendoj se libri do t’i bëjë njerëzit të kuptojnë më qartë nevojën e Kosovës për pavarësi.

VOA: Zëvendës-sekretari i Shtetit Mark Grosman ishte kohët e fundit në Kosovë, ku bëri të ditur se bisedimet për statusin përfundimtar mund të fillojnë në vitin 2005, në qoftë se Kosova plotëson më parë standartet, të cilat duhet të jenë tani më të qarta dhe më të sakta. Si e shikoni ju këtë proces, a është realiste të mendohet që në vitin 2005 do të fillojnë bisedimet për statusin përfundimtar?

James Pettifer: Është një gjë shumë e mirë që zoti Grosman shkoi atje. Të gjitha të dhënat tregojnë se pa një angazhim më të madh amerikan, në proces nuk do të ketë shumë përparim. Ajo që uroj unë është që të dihet si do të vlerësohen standartet. Pasi politika nuk është një shkencë ekzakte. Unë jam dakort me atë që ka thënë ligjvenësi Tom Lantosh që në se disa prej këtyre standarteve do t’i ishin vënë Shteteve të Bashkuara, zor se Amerika do të fitonte pavarësinë në atë kohë. Duhet kohë që të zhvillohen institucionet. Por ndërhyrja amerikane ishte shumë e vlefshme. Mendoj se bisedimet e fundit të Vjenës ishin të përgatitura shumë keq. Në raste bisedimesh të tilla mes palëve, si shqiptarëve edhe serbëve u duhet bërë shumë e qartë se çfarë pritet konkretisht prej tyre, në vend që të bëhen bisedime pa një plan të qartë. Prandaj është shumë e vlefshme tani që Amerika po angazhohet më shumë. Pa rolin e Amerikës, pas bisedimeve të Vjenës, mund të kishin filluar probleme serioze.

XS
SM
MD
LG