Lidhje

Kryebashkiaku Rama shpall kandidaturën për kryetar të Partisë Socialiste - 2003-11-11


Që ambicjet e zotit Edi Rama nuk do të ndaleshin në godinën e bashkisë së kryeqytetit kjo ishte e qartë për të gjithë ata që kishin vëzhguar ngjitjen e tij të shpejtë politike. Ajo që ka ardhur disi papritur është pikërisht vendimi për të marrë kontrollin e partisë në pushtet kur nuk kanë kaluar as dy javë nga dita kur ai kërkoi të ishte një anëtar i thjeshtë i kësaj force politike.

Jo pak herë konfliktet e brendëshme mes palëve në partinë socialiste i kanë ofruar shanse një të treti të papërfshirë në këto konflikte. Ndoshta edhe zoti Rama mendon se përpjasja e gjatë dhe e stërlodhshme mes kryeministrit Nano dhe rivalit të tij Ilir Meta mund të krijojë hapësirat për të. Si një figurë që nuk vjen nga asgjëja dhe që ka ditur të krijojë profilin e një politikani të ndryshëm nga ata që kanë dominuar këto 12 vjetët e fundit. Në analizën që i bën situatës në vend zoti Rama konstaton se kriza aktuale në partinë socialiste rezikon të çojë drejt një katastrofe jo thjeshtë dhe vetëm partinë socialiste por krejt sistemin ende të pazhvilluar demokratik, siç thotë ai. Zoti Rama deklaroi se ka vendosur të shtojë një tjetër mundësi zgjedhjeje për socialistët duke ofruar një kandidaturë që siç thekson nuk del nga ndonjë palë në konflikt, që nuk është kundër këtij apo atij konkurenti, por vetëm pro një partie socialiste moderne dhe europiane.

“Duke parë që ka ende mundësi reale të kapërcimit të krizës, duke parë që ka kapacitete të mjaftueshme njerëzore dhe morale për ta bërë sfidën e ballafaqimit me të vërtetën, duke parë se sa më shumë i fshihemi të vërtetës aq më pranë humnerës shkon pushteti i socialistëve të thjeshtë dhe jo pushteti i njërit apo i tjetrit, kam vendosur të bëjë edhe këtë kandidim”.

Kryetari i bashkisë së kryeqytetit thotë se ka ndërmarrë këtë hap pasi partia socialiste kërcënohet nga humbja përfundimtare e pushtetit, pasi në këto dy vjetë e gjysmë në vend që të reformojë dhe modernizojë shtetin, po deformon dhe vjetëron vetveten duke u ndarë nga realiteti dhe shqiptarët e duke shkuar drejt kalimit në opozitë.

“Unë jam shumë i shqetësuar për gjendjen në të cilën ndodhet partia socialiste dhe për dëshpërimin jo të vështirë për tu konstatuar që shoh në sytë e socialistëve të thjeshtë, një dëshpërim që ka të bëjë me një krizë të tejzgjatur, një krizë e cila natyrisht nuk i ka rrënjët tek tonelatat e baltës që janë hedhur mes veti tash dy vjet e gjysëm brenda partisë socialiste, tonelata balte që janë thjesht vetëm pasojat, por i ka rrënjët në një raport të përmbysur të marrëdhënieve të politikës me qytetarin”.

Sipas asaj që ka shpalosur sot zoti Rama nuk po ndërmerren hapa konkret për zgjidhjen e krizës por po vazhdohet qorrazi me një të ashtuquajtur luftë parimore e cila sipas tij po mban buzë tatëpjetës Shqipërinë dhe ka futur drejt tatëpjetës partinë socialiste. Për të zgjidhur krizën deklaron zoti Rama duhet të identifikohen shkaqet dhe të pranohen ato bashkërisht duke marrë secili pjesën e vet të përgjegjësisë.

Zoti Rama bëhet kështu kandidati i tretë për kreun e partisë socialiste duke u vënë përballë kryeministrit aktual Fatos Nano dhe ish presidentit Rexhep Mejdani i cili duket se ka mbështetjen e grupit të deputetëve të drejtuar nga zoti Ilir Meta.

//rd//

XS
SM
MD
LG