Lidhje

Miratohet qeveria e re palestineze - 2003-11-12


Ligjvënësit palestinezë miratuan një qeveri të re që zyrtarët shpresojnë se do të gjallërojë bisedimet e bllokuara të paqes me Izraelin.

Këshilli legjislativ Palestinez miratoi sot me 46 vota në favor dhe 13 kundër kabinetin e propozuar nga kryeministri Ahmed Kureia. Votimi pason disa javë pasigurie lidhur me përbërjen e qeverisë së re dhe luftën për pushtet midis zotit Kureia dhe Presidentit Jaser Arafat. Kriza e krijuar kishte zbehur përpjekjet për të rigjallëruar procesin e paqes.

Para votimit të sotëm, zoti Kureia u tha ligjvënësve se ai është i vendosur të ndalë dhunën dhe bëri thirrje për një armëpushim të plotë me Izraelin.

Zoti Arafat tha nga ana e tij se izraelitët kanë të drejtë të jetojnë të sigurtë përkrah një shteti të ardhshëm palestinez. Ai bëri thirrje për ti dhënë fund dhunës në rajon.

Disa ligjvënës palestinezë dhe izraelitë nuk janë të kënaqur me përbërjen e qeverisë së re për shkak se në të ka shumë anëtarë nga kabineti i mëparshëm dhe presidenti Arafat do të vazhdojë të ketë nën kontroll forcat e sigurimit. Zoti Kureia kishte kërkuar të kishte kontroll mbi këto forcat e sigurimit, por hoqi dorë nga kjo kërkesë për ti dhënë fund krizës politike.

Zyrtarët izraelitë thanë se janë të pakënaqur nga fakti që zoti Arafat vazhdon të qendrojë në pushtet, por janë të gatshëm t’i japin shansin qeverisë së zotit Kureia.

Izraeli ka në plan ti japë zotit Kureia një periudhë kohore, gjatë së cilit pritet që ai të ndalë sulmet nga grupet e armatosura palestineze. Gjatë kësaj periudhe, Izraeli thotë se do ti pakësojë operacionet ushtarake në Bregun Perendimor dhe Rripin e Gazës.

//rd//

XS
SM
MD
LG