Lidhje

Robertson: Kosova të përqëndrojë energjitë tek plotësimi i standarteve - 2003-11-12


Presidenti Bush nderoi sot me Medaljen Amerikane të Lirisë, Sekretarin e Përgjithshëm të Natos George Robertson, gjatë një ceremonie në Shtëpinë e Bardhë. Ky është çmimi më i lartë i Shteteve të Bashkuara për civilët. Zoti Robertson u nderua me këtë çmim për drejtimin e Natos, ndërsa aleanca pësoi ndryshimet më të mëdha në historinë e saj, duke u zgjeruar me 7 anëtarë të rinj dhe duke iu përgjigjur disa prej sfidave më të vështira në fushën e sigurimit. Zoti Robertson erdhi në Uashington nga Orlando e Floridës ku dje përfundoi punimet Asambleja parlamentare e Natos. Lufta kundër terrorizmit, Iraku dhe Afganistani ishin ndër temat kryesore të takimit. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Sekretari i Përgjithshëm i Natos, George Robertson tha se mbetet optimist për të ardhmen e Evropës Juglindore.

Një nga shenjat e dukshme të përparimit që është bërë në Evropën Juglindore tha Sekretari i Përgjithshsëm i Natos, Lordi Robertson është pjesëmarrja e vendeve të rajonit përkrah Natos në misionet e aleancës jashtë bllokut të saj. “Ne tani po shohim trupa nga Evropa Juglindore që po punojnë me Naton në misionet e saj jashtë Evropës. Shpresojmë që në të ardhmen të shohim më shumë prej tyre. Ky rajon ka përfituar nga angazhimi i Natos, nga angazhimi i komunitetit ndërkombëtar. Tani është koha që ky rajon të fillojë të hapë kontributin e tij në zona të tjera të botës ku ka nevojë për përvojën e vendeve të tij”, tha zoti Robertson.

Megjithatë rajoni i Ballkanit ka ende nevojë për forcat e Natos. Presidenti i Asamblesë së Natos, ligjvenësi amerikan Doug Bereuter, tha se trupat e Natos duhet të qëndrojnë në Kosovë të paktën deri në zgjidhjen e çështjes së statusit përfundimtar. I pyetur nga Zëri i Amerikës lidhur me çështjen e statusit të Kosovës, zoti Robertson tha se, Kosova duhet t’i përqëndorjë tani energjitë tek plotësimi i standarteve.

“Për Kosovën duhet të flasim për standartet para se të flasim për statusin e saj. Ende nuk jemi në fazën e të ardhmes së saj kushtetuese. Ajo që duhet të bëjë Beogradi e Prishtina është të bisedojnë, të arrijnë marrëveshje për çështjet e jetës së përditshme, si elektriciteti, transporti, kthimi i refugjatëve. Kjo është ajo që banorët presin nga udhëheqësit e tyre, të zgjidhin problemet e jetës së tyre të përditshme. Dhe në kohën e duhur do të arrijmë tek problemi i statusit përfundimtar.”

Duke folur për Maqedoninë, zoti Robertson tha se ky vend e kapërceu me sukses periudhën e krizës dhe tani mund të shohë me besim të ardhmen.

“Populli i Maqedonisë meriton të ketë një të ardhme më të mirë në kuadër të Evropës. Unë kam besim se udhëheqja politike në Maqeodni, qeveria e koalicionit është e angazhuar për stabilitet, për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe për të siguruar që Maqedonia të luajë një rol aktiv në Evropë.”

Përpjekjet e rindërtimit në Irak dhe roli i Natos në Afganistan, ishin ndër temat kryesore të takimit të Asamblesë Parlamentare të Aleancës. Dhe për zotin Robertson ky ishte fjalimi i tij i fundit para Asamblesë si Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës. Në dhjetor, zoti Robertson largohet nga kjo detyrë që e ka mbajtur që nga viti 1999.

//rd//

XS
SM
MD
LG