Lidhje

Në Irak vriten 17 ushtarë italianë - 2003-11-12


Një kamionë bombë shpërtheu në një bazë policore italiane në Irakun jugor, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 17 italianëve dhe të 8 irakianëve. Këto janë viktimat e para në radhët e kontingjentit italian që shërben në Irak në kuadër të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Zyrtarë të koalicionit thanë se kamioni shpërtheu pasu u përplas nëpër pengesa para selisë së njësisë së policisë ushtarake italiane në qytetin jugor irakian Nasirijeh. Ministri italian i Mbrojtjes tha se ka prova që lidhin sulmin e sotëm me luftëtarë besnikë të Sadam Huseinit.

Ndërkohë, korrespondentët në Bagdad dëgjuan një seri shpërthimesh për të katërtën natë brenda një jave. Hollësitë rreth këtyre shpërthimeve ende nuk janë bërë të njohura. Mbrëmë, tri predha ranë në afërsi të selisë së komandës amerikane në Bagdad, por nuk pati njoftime për viktima. Në një incident tjetër, irakianët thonë se trupat amerikane në një postbllok pranë qytetit Falluxha vranë dje 5 civilë irakianë, kur ushtarët hapën zjarr kundër një kamioni me pula të gjalla. Dhe zyrtarë të Pentagonit thonë se dy ushtarë amerikanë u vranë dje në sulme të veçanta, njëri në Bagdad dhe tjetri në veri të kryeqytetit.

//rd//

XS
SM
MD
LG