Lidhje

Zgjedhjet presidenciale në Serbi - 2003-11-13


Këtë të dielë, Serbia do të bëjë përpjekjen e tretë brenda një viti për zgjedhjen e një presidenti. Ashtu si edhe më parë, shumë njerëz vazhdojnë ta venë në pikëpyetje besueshmërinë e Partisë Demokratike në pushtet, e cila bëri thirrje fillimisht për zgjedhjet. Disa nga partitë kryesore të opozitës po i bojkotojnë zgjedhjet duke e zhytur më tej në kaos procesin politik. Kriza e tanishme kërcënon që edhe zgjedhjet presidenciale të së djelës të dështojnë për herë të tretë.

Zgjedhjet e së djelës zhvillohen në një kohë kur shumë njerëz po e vënë në pikëpyetje legjitimitetin e partisë në fuqi të zotit Miçunoviç. Opozita kërkon zgjedhje të reja parlamentare në vend të atyre presidenciale. Por kandidati për president i Opozitës Demokratike të Serbisë, Dragoljub Miçunoviç nuk lëshon pe:

“Ne nuk mund të presim zgjedhjet parlamentare sepse Kushtetuta na kërkon që të zhvillojmë zgjedhjet presidenciale. Ato duhet të ishin mbajtur kohë më parë sepse të gjitha afatet janë djegur. Kryetari i tanishëm i parlamentit është president i përkohshëm dhe me kushtetutë zgjedhja e presidentit duhet të bëhet branda 60 ditësh,” thotë Miçunoviç.

Dy kandidatët kryesorë nga zgjedhjet e dështuara presidenciale, kësaj here po organizojnë bojkotimin. Vojislav Koshtunica dhe Partia e tij Demokratike e Serbisë, morën numrin më të madh të votave në garën e kaluar presidenciale. Miroslav Labus i partsisë G-17 Plus doli në vend të dytë. Por zgjedhjet u shpallën të pavlefshme për shkak të një ligji i cili kërkon që në votime të marrin pjesë 50 përqind e qytetarëve me të drejtë vote. Zoti Koshtunica dhe parti të tjera të opozitës i kishin kërkuar partisë në fuqi që të ndryshonte ligjin përpara zgjedhjeve. Por ata nuk pranuan.

“Është pikërisht ligji arësyeja kryesore që nuk kam vënë kandidaturën në këto zgjedhje. Sipas ligjit, pjesmarrja duhet të jetë më shumë se 50 përqind dhe listat e votuesve nuk janë të sakta. Pra, duhet që në votime të marrin pjesë më shumë se 50 përqind e njerëzve në mënyrë që zgjedhjet të quhen të suksesshme,” thotë zoti Koshtunica.

Sipas zonjës Ljiljana Smajlovic, komentatore e NIN-it, revista më e vjetër politike e Serbisë, problemet e vendit e kanë burimin tek qeveria, zyrtarët e së cilës nuk gëzojnë më mbështetje popullore.

“Koalicioni qeverisës kërkon zgjedhje presidenciale kur po shtohen thirrjet për zgjedhje të reja emergjente parlamentare. Qeveria është zhytur në korrupsion, në skandale dhe pra zgjedhjet presidenciale shihen nga një pjesë e publikut dhe nga opozita demokratike si një mënyrë për të anashkaluar një debat më të thellë, atë mbi besueshmërinë e qeverisë dhe mbi rrugën në të cilën ka hyrë ky vend,” thotë analistja Liljana Smajlloviç.

G-17 Plus e zotit Miroslav Labus është partia tjetër që po i bojkoton zgjedhjet presidenciale të Serbisë. Rrjeti i tyre rinor ka organizuar një fushatë me emrin komik “Jepni nga një dinar për qeverinë që ajo të mos vjedhë më”. Nemanja Sushnjar është një nga veprimtarët e partisë G-17 Plus.

“Sot ne kemi sjellë manekinë që përfaqësojnë figurat më të larta të qeverisë, Dushan Mihajlloviç, Ministër i Policisë, Cedomir Jovanoviç, Zëvendës kryeministër dhe Marija Rasheta Vuko-savljeviç. Secili manekin ka në fund të tij një si qese të vogël ku njerëzit mund të fusin nga një monedhë për të pakësuar deficitin buxhetor që kanë krijuar zyrtarët e korruptuar, thotë zoti Sushnjar.”

G-17 Plus dhe Partia Demokratike e Serbisë e zotit Koshtunica, shpresojnë se bojkotimi do ta mbajë pjesmarrjen në votime përsëri nën 50 përqind dhe se kështu zgjedhjet do të dështojnë përsëri. Ato mund të kërkojnë zgjedhje të reja parlamentare dhe ta detyrojnë Partinë Opozita Demokratike Serbe të zotit Miçunoviç, të largohet nga pushteti.

Stojan Ceroviç, i cili shkruan për revistën politike “Vreme” është i shqetësuar për pasojat që dështimi sërish i zgjedhjeve do të kishte për imazhin e Serbisë në komunitetin ndërkombëtar.

“Ne nuk na duhet një dështim i tretë për zgjedhjen e presidentit. Përndryshe do të duket sikur aftësia jonë demokratike është mjaft e ulët. Kjo është negative për imazhin e vendit, i cili gjithsesi nuk ka ndonjë imazh të mirë”, thotë Ceroviç.

Megjithatë, njëra nga partitë, ajo radikale, ka dalë e fituar në krizën e tanishme. Partia Radikale Serbe nuk merr pjesë në qeveri që pas rënies së Sllobodan Millosheviçit. Udhëheqësi i saj, Vojislav Sheshel është aktualisht i burgosur në Hagë bashkë me zotin Millosheviç. Shesheli akuzohet për krime lufte në Kroaci. Bojkototimi nga ana e zotit Kostunica dhe zotit Labus i ka hapur dyert Tomisllav Nikoliçit për ta sjellë përsëri në skenë partinë radikale. Dhe ai e ka bërë këtë me bekimin e Sheshelit nga qelia e tij e burgut.

Cilido qoftë rezultati i zgjedhjeve, kandidatët dhe analistët bashkohen në një pikë: se duke patur parasysh gjithë këto trazira politike, vendi ka bërë përparim të ndjeshëm politik, shoqëror dhe ekonomik këto katër vitet e fundit dhe do të vazhdojë kështu në të ardhmen. Ata thonë se kriza e tanishme nuk përfaqëson tjetër veçse dhimbjet e rritjes të një vendi në trazicion.

XS
SM
MD
LG