Lidhje

Zyrtarja e Departamentit të Shtetit komenton mbi Kartën e Adriatikut dhe Kosovën - 2003-11-14


Zëvendës ndihmës sekretarja amerikane e shtetit për Çështjet e Evropës Jugore dhe Qendrore, Kathleen Stephens, thotë se Shtetet e Bashkuara po përpiqen të nxisin një dialog dhe komunikim më të mirë mes vendeve ballkanike. Në një inytervistë dhënë Zërit të Amerikës, ajo foli edhe për nismën e re amerikane mbi rishikimin e standardeve për Kosovën.

Zëri i Amerikës: Zonja Stephens, Departamenti i Shtetit ka organizuar takimin e parë të komisionit të Kartës së Adriatikut. Ku do të përqendrohet takimi i nënsekretarit të shtetit Richard Armitage me kryetarët e tre delegacioneve?

Z. Kathleen Stephens Jemi shumë të kënaqur që kemi këtu në Uashington delegacionet nga Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia për mbledhjen e parë të Komisionit për Partneritetin e Adriatikut. Sekretari Powell ndihmoi në themelimin e këtij partneriteti të rëndësishëm në Tiranë në muajin maj dhe tani, pas 6 muajsh ne jemi shumë të kënaqur që ministrat e jashtëm dhe zëvendësit e tyre kanë ardhur në Uashington për këtë takim të parë. Mendoj se mbledhje të tilla do të shërbejnë për të analizuar përparimin që është bërë deri tani dhe për të parë drejt së ardhmes, për të përcaktuar ato fusha ku mund të bashkëpunohet si në nivel rajonal ashtu edhe me Shtetet e Bashkuara, për të arritur synimet e Kartës, të cilat janë shumë ambicioze.

Zëri i Amerikës: Sa përparim kanë bërë secili nga të tre vendet për të arritur objektivat e Kartës? Sa afër janë këto vende në arritjen e standardeve për anëtarësimin në institucionet euro-atlantike?

Z. Kathleen Stephens: Mendojmë se një nga gjërat që presim të dëgjojmë në takimet është vlerësimi i vetë këtyre vendeve mbi përparimin që ata mendojnë se kanë bërë dhe në ç’mënyrë kanë ndërmend ministrat të zgjidhin shqetësimet e që kanë. Dëshirojmë gjithashtu të dëgjojmë mbi bashkëpunimin midis këtyre tre vendeve, si mund të ndihmojnë ata njëri-tjetrin dhe si mund të ndihmohen ata nga Shtetet e Bashkuara për arritjen e synimeve të tyre të përbashkëta. Pra ne dëshirojmë të dëgjojmë prej tyre. Objektivi ynë është gjithnjë të mbetemi të angazhuar dhe të mbështesim synimet për një Evropë të pandarë, të lirë dhe në paqe. Ne nuk mendojmë se ajo do të jetë e pandarë e lirë dhe në paqe nëse anëtarët e Kartës së Adriatikut dhe vendet e tjera të rajonit nuk bëhen pjesë e Evropës prandaj kjo është një mënyrë për ta nxitur këtë zhvillim. Përsa i përket përparimit të arritur, nënsekretari Mark Grossman ishte javën e kaluar në rajon ku dëgjoi dhe pa nga afër në Maqedoni dhe në Shqipëri një pjesë të këtij përparimi si dhe problemet që mbeten.

Zëri i Amerikës: Megjithë përparimin e bërë, Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia kanë përballë sfida mjaft të vështira, si mungesa e shtetit juridik, korrupsioni, krimi i organizuar, trafiku njerëzor, dobësitë në ekonomi. A mendoni se komuniteti ndërkombëtar do të tregohet sa duhet i rreptë në kërkesat e tij për të luftuar këto probleme?

Z. Kathleen Stephens: Mendoj se standardet e parashktruara në vetë Kartën janë mjaft të larta dhe mjaft ambicioze. Këto standarde ende nuk janë plotësuar krejtësisht. Por fakt pozitiv është se të tre këto vende, në kuadrin e veprimtarive të Partneritetit për Paqe, po zhvillojnë reforma të mbrojtjes, po ndërmarrin përpjekje për të modernizuar veprimtaritë e tyre të mbrojtjes si dhe institucionet politike për t’u afruar më shumë me institucionet euroatlantike. Por ne e pranojmë se kjo nuk bëhet brenda natës. Nga ana tjetër, çështja që ju përmendët është jashtëzakonisht me rëndësi. Probleme të tilla si krimi i organizuar, trafiku i personave, i drogës apo i lëndëve të tjera të rrezikshme dhe të ndaluara nuk janë diçka që mund të luftohen me mjete diplomatike kushtëzuese, për shembull me takime apo konferenca diplomatike për të diskutuar rrugët e përballimit të tyre. Gjithashtu këto dukuri nuk njohin kufij shtetesh. Dhe kjo është një tjetër arësye se përse ne mendojmë që Karta e Adriatikut ka rëndësi të veçantë, pasi ajo nuk përfaqëson një veprimtari thjesht dypalëshe. Në të marrin pjesë vende që nuk kanë një histori bashkëpunimi shumë të ngushtë. Ajo u thotë këtyre vendeve se ju nuk do t’i zgjidhni dot probleme të tilla si krimi i organizuar nëse nuk punoni së bashku. Ne mund t’ju ndihmojmë ta bëni këtë por ne vetëm mund të ndihmojmë. Rezultati duhet arritur në terren, në rajon. Ai duhet të vijë përmes komunikimit tuaj me njëri-tjetrin. Disa herë, një vend mik i jashtëm mund të ndihmojë në arritjen e këtij komunikimi dhe ky është një ndër synimet e Kartës.

Zëri i Amerikës: Pas 11 shtatorit, Shtetet e Bashkuara kanë bërë ndryshime dramatike në politikën e tyre të jashtëme, aq sa tani shumë politikanë dhe analistë në Ballkan kanë shtruar shqetësimin se Shtetet e Bashkuara mund ta pakësojnë praninë e tyre në rajon. Cili është mendimi juaj.

Z. Kathleen Stephens: Komenti im për këtë është përsëritja e asaj që thashë më parë për një Evropë të pandarë, të lirë dhe në paqe. Këto janë fjalë që në fakt i përdorte Presidenti i parë Bush për të përshkruar synimet amerikane në Evropë në fillim të viteve 90. Këto fjalë edhe sot karakterizojnë politikën tonë. Pra në këtë kuptim, në politikën tonë për Evropën dhe Ballkanin ka patur shumë vazhdimësi dhe mund të them se kemi arritur një farë suksesi në kuptimin se ne dhe Evropa jemi të bashkuar dhe ajo që ka më shumë rëndësi është se vendet e rajonit e shikojnë integrimin euro-atlantik si objektivin e tyre, si magnetin tërheqës. Pa dyshim, ne të gjithë e pranojmë se bota e sotme përballet me sfida të mëdha. Fakti që krizat kanë ndodhur në rajone të tjera, është si të thuash një lajm i mirë për Ballkanin. Ne kemi arritur tani në një periudhë kur mund të flasim për gjëra që 5 vjet më parë as që mund të mendoheshin, për shembull anëtarësimi në Nato për Shqipërinë, Maqedoninë dhe Kroacinë ose anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Të gjitha këto sot duken synime të arritëshme dhe të dëshirueshme. Pra, angazhimi amerikan për të ndihmuar në këtë drejtim është më i fortë se kurrë. Nënsekretari i shtetit Marc Grossman e theksoi këtë gjatë vizitës së tij javën e kaluar në rajon.

Zëri i Amerikës: Siç e përmendët edhe ju, nën sekretari i shtetit Grossman sapo vizitoi Ballkanin ku natyrisht informoi udhëheqësit e rajonit mbi nismën e re për Kosovën. Si do t’i karakterizonit ju rezultatet e vizitës?

Z. Kathleen Stephens: Vizita e tij në rajon, siç thashë, kishte si qëllim të nënvizonte vazhdimin e angazhimit amerikan, për integrimin dhe përshpejtimin e integrimit të krejt rajonit në strukturat euro-atlantike. Ndërkohë që ne përpiqemi të bëjmë këtë, është e qartë se këtu ka një hallkë e cila meriton vemendje të veçantë. Dhe kjo është Kosova, ku rruga drejt së ardhmes ka qenë më pak e qartë se sa për disa nga vendet e tjera të rajonit. Prandaj qëllimi i vizitës së tij në rajon ishte të dëgjonte mendimin e udhëheqësve të atjeshëm për një ide që ne kishim formuluar në konsultim me vende të tjera të Grupit të Kontaktit, vende që kanë interesa të hershme në rajon dhe madje trupa në terren. Qëllimi ishte gjithashtu për të parë nëse ekzistonte ndonjë mënyrë që mund të ndihmonte në krijimin e një kornize për të hedhur hapa përpara në Kosovë. Mënyra se si ne e bëmë këtë kishte si të thuash diçka të vjetër dhe diçka të re. E vjetra, megjithëse jo shumë e vjetër, ishte ideja e përforcimit dhe e konkretizimit të mëtejshëm të konceptit “standardet përpara statusit”. Mendoj se çdokush është dakord se përpara se të mund të flasësh për status në cilindo vend qoftë, ai duhet të jetë një entitet funksionues dhe pikërisht ky është qëllimi i standardeve. Ne synojmë t’i përcaktojmë këto standarde më konkretisht dhe të krijojmë një kalendar veprimesh si dhe një mekanizëm transparent për të rishikuar dhe diskutuar se çfarë është arritur dhe çfarë mbetet për të arritur. Zoti Grossman parashtroi mënyrën se si propozojmë ne të bëhet kjo së bashku me UNMIK-un dhe me përfaqësuesin e posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së gjatë një periudhe prej 18 muajsh. Qëllimi është të bëjmë një rishikim të gjithanshëm të përparimit të arritur, aty nga mesi i vitit 2005, por ndoshta edhe më herët nëse është bërë përparim i mjaftueshëm. Nëse ka një përparim të tillë, ne do të shikojmë se cili do të jetë procesi i mëtejshëm për të arritur në përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës, i cili do të siguronte një jetë paqësore dhe demokratike në rajon dhe këtë e dëshirojnë të gjithë.

XS
SM
MD
LG