Lidhje

Irak: të paktën 17 ushtarë amerikanë u vranë, pesë u plagosën, një tjetri nuk i dihet fati - 2003-11-16


Të paktën 17 ushtarë amerikanë u vranë, pesë u plagosën dhe një tjetri nuk i dihet fati, kur dy helikopterë të ushtrisë amerikane u rëzuan në Irak pasi u përplasën me njeri tjetrin mbi qytetin verior Mosul.

Lajmet citojnë dëshmitarë nga vendi i ngjarjes të cilët thonë se të paktën një nga helikopterët Blackhawk u godit nga një granadë e hedhur me raketë ose nga zjarri i armëve dhe pastaj u përplas me helikopterin tjetër. Divizioni 101 i forcave ajrore të ushtrisë amerikane tha se po zhvillon hetime dhe se nuk ka arritur ende në ndonjë përfundim.

Përplasja është incidenti i vetëm më vdekjeprurës për forcat amerikane që prej fillimit të luftës në Irak në muajin mars. Nuk ka lajme mbi viktima në radhët e irakianëve.

Pesë helikopterë amerikanë janë rrëzuar ndërsa fluturonin në hapësirën ajrore të Irakut gjatë 3 javëve të fundit, duke shkaktuar vdekjen e 39 ushtarëve, përfshirë 16 ushtarë që humbën jetën kur një aeroplan u godit me raketë në afërsi të qytetit Falluxhah.

Në një incident tjetër vdekjeprurës dje, një ushtar amerikan u vra nga shpërthimi i një bombe në anë të rrugës në Bagdad.

Ndërkaq, dje paradite në Bagdad, presidenti i Këshillit Qeverisës të Irakut të emëruar nga Shtetet e Bashkuara, Jalal Talabani, njoftoi se një qeveri e përkohëshme do të marrë në dorë vendin nga forcat pushtuese deri në fund të muajit qershor. Ajo do të caktohet nga një asamble e përkohëshme, që do të zgjidhet në muajin maj nga këshillat e 18 provincave të Irakut.

Zoti Talabani tha se vazhdimi i pranisë së forcave të koalicionit në Irak do të diskutohet nga një qeveri e re, që do të hartojë kushtetutën dhe do të mbajë zgjedhjet deri në fund të vitit 2005.

Presidenti Bush lëshoi një deklaratë në të cilën e përshëndet këtë plan, duke thënë se ai është një hap i rëndësishëm drejt vendosjes së demokracisë në vend.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, tha se formimi i një qeverie të re irakiane në muajin qershor nuk do të thotë se forcat amerikane do të fillojnë tërheqjen prej andej. Duke folur gjatë një udhëtimi në Japoni, zoti Rumsfeld tha se qeverisja e Irakut dhe sigurimi i vendit po ecin në drejtime të ndryshme.

Këshilli Qeverisës i Irakut e shpalli planin pas takimit të djeshëm me adminsitratorin civil amerikan të vendit, Paul Bremer. Zoti Bremer sapo ishte kthyer nga Uashingtoni në Bagdad, pas bisedimeve urgjente me Presidentin Bush mbi përshpejtimin e transferimit të pushtetit.

//ze//

XS
SM
MD
LG