Lidhje

Presidenti Bush: nuk do të duhen shumë vjet që demokracia të hedhë rrënjë në Irak - 2003-11-16


Gjatë intervistës, ku foli për një gamë të gjerë çështjesh dhe që u transmetua sot, presdidenti Bush tha se është përgatitur për demonstratat masive të planifikuara nga protestuesit britanikë kundër luftës gjatë vizitës së tij në Londër javën e ardhshme.

I pyetur se çfarë do t’u thoshte demonstrusve në se mund të fliste me ta, zoti Bush kujtoi sulmet terroriste para 2 vjetësh në tokën amerikane.

“Kam xjerrë mësime nga 11 shtatori i vitit 2001 kur terroristët i shpallën luftë Shteteve të Bashkuara dhe popujve që e duan lirinë. Synoj të jem në krye të vendit tim, së bashku me vende të tjera si miqtë tanë të ngushtë në Britaninë e Madhe, për të fituar luftën kundër terrorit. Lufta është zgjedhja ime e fundit dhe jo e parë, por unë e kam për detyrë si president që të ruajë sigurinë e vendit tim.”

I pyetur në se trupat amerikane do të qëndrojnë në Irak për vite deri sa në atë vend të vendoset demokracia, presidenti Bush tha se ky proces nuk do të zgjasë aq shumë.

“Nuk mendoj se do të duhen vite të tëra sepse ne besojmë që demokracia do të hedhë baza në Irak. Ne besojmë se një Irak i lirë dhe demokratik do të ndihmojë në ndryshimin e Lindjes së Mesme. Liria nuk është dhuratë e Amerikës për botën ose dhuratë e Britanisë së Madhe për botën. Liria është dhuratë e Zotit për çdo njeri që jeton në këtë botë.”

Presidenti Bush u pyet të shpjegonte se pse marrëdhëniet e tij me kryeministrin britanik Tony Blair janë kaq të ngushta, megjithë ndryshimet e mëdha në filozofitë e tyre politike.

“Tony është një njeri që beson shumë. Gjëja kyçe në marrëdhëniet e mija me Tonin është se ai thotë të vërtetën. Ai thotë atë që mendon dhe kur thotë se do të bëjë diçka, ai e bën atë.”

Zoti Bush tha se ai vazhdon të punojë me kryeministrin Blair mbi mënyrat se si duhet trajtuar çështja e britanikëve të kapur në Afganistan, të cilët mbahen në bazën ushtarake amerikane në Gjirin Guantanamo të Kubës.

“Unë po punoj me Tonin për të gjetur një zgjidhje të kësaj çështje rreth së cilës ai të ndjehet mirë. Këta njerëz ishin persona të paligjshëm jo-luftarakë, që u kapën jashtë fushës së betejës. Ata po trajtohen mirë. Në një kohë të caktuar, ata do të kalojnë nëpër procesin e gjyqit ushtarak në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare.”

Kryeministrit britanik Blair i është bërë presion që të sigurojë lirimin dhe kthimin në atdhe të britanikëve të ndaluar. Grupe britanike të të drejtave të njeriut kanë shprehur shqetësimin se Shtetet e Bashkuara mund t’i ekzekutojnë ata. Britania e ndalon me ligj dënimin me vdekje.

//ze//

XS
SM
MD
LG