Lidhje

Zyrtarët turq fajësojnë terroristët ndërkombëtarë për sulmet në Stamboll - 2003-11-16


Agjencia zyrtare e lajmeve e Turqisë, Anatolia bëri të ditur se hetuesit mendojnë që sulmet me makinë bombë para 2 sinagogeve në Stamboll u bashkërenduan me kujdes dhe u kryen nga autorë sulmesh vetëvrasëse që veprojnë në gjithë botën.

Agjencia Anatolia njoftoi gjithashtu sot se 4 perona që u ndaluan në lidhje me sulmet, që u kryen thuajse në të njëjtën kohë, u liruan për mungesë provash. Sulmet e së shtunës shkaktuan vdekjen e të paktën 23 vetëve dhe plagosjen e rreth 300 të tjerëve. Rreth 70 prej tyre janë ende në spital.

Të paktën 6 hebrenj ishin mes të vrarëve nga shpërthimet thaujse të menjëhershme, të cilat ndodhën gjatë shërbesave fetare. Shumica e viktimave ishin kalimtarë myslimanë të rastit dhe banorë aty pranë.

Kryeministri izraelit Ariel Sharon tha se shpërthimet e djeshme në dy sinagoge të Stambollit tregojnë se terroristët nuk njohin kufij. Zoti Sharon tha se sulmet në Stamboll treguan se terroristët nuk diskriminojnë sipas fesë ose racës. Qëllimi i akteve të tilla, tha ai, është që të futet frikë dhe terror nëpërmjet vrasjes së njerzve të pafajshëm.

Kryeministri izraelit dërgoi në Stamboll ministrin e tij të jashtëm Silvan Shalom për të biseduar me udhëheqësit turq dhe anëtarë të komunitetit hebraik mbi mënyrat për të përmirësuar sigurinë pas sulmeve të djeshme.

Zyrtarë të agjencive të zbulimit izraelit, Mossad dhe Shin Bet, shkuan dje në Stamboll për të ndihmuar hetimet.

Kryeministri Sharon tha se qeveria e tij është e bindur se autoritetet turke do t’i kapin personat përgjegjës për sulmet dhe do t’i nxjerrin ata para drejtësisë.

//ze//

XS
SM
MD
LG