Lidhje

Amerika, nafta dhe mjedisi - 2003-11-17


Uria në dukje e pashuar e Amerikës për naftë ka qenë për një kohë të gjatë objektiv i preferueshëm i veprimtarëve të mjedisit. Në Shtetet e Bashkuara, konsumohen rreth 20 milionë fuçi naftë në ditë. Japonia, e cila radhitet e dyta në botë këtë aspekt, konsumon pak më pak se 5 milionë e 500 mijë fuçi në ditë. Veprimtarët e mjedisit kanë paralajmëruar për vite se nafta ndot oqeanet dhe është një nga faktorët e ngrohjes globale.

Është ora 22 në një natë të freskët nëntori në qytetin e Nju Yorkut. Rreth 50 çiklistë janë mbledhur në sheshin Kolombo tek hyrja e Parkut Qendror. Ata vijnë këtu të premten e parë të çdo muaji, pa marrë parasysh motin, për të shijuar parkun gjatë natës. Por, sipas organizatorit të këtij grupi, Bill Simms, ky takim ka për qëllim diçka tjetër. Është njëri ndër disa prej veprimtarive të organizatës ”Time’s Up”, që u kërkon amerikanëve të ndalin ndotjen e ajrit nga makinat dhe kamionët.

”Në Amerikë vërejmë se njerëzit blejnë bicikleta për defrim dhe i përdorin ato vetëm gjatë fundjavës. Ne po përpiqemi të nxisim njerëzit që ta bëjnë biçikletën një mjet të përditshëm. transporti” thotë zoti Simms.

Organizata Time’s Up ka reklamuar biçikletën si mjet transporti të përshtatshëm për mjedisin. Por, zoti Simms thotë se pas hyrjes së Shteteve të Bashkuara në luftën e dytë me Irakun, organizatë po e reklamon biçikletën si një komponent të sigurisë kombëtare.

”Përdorimi i biçikletës është tani një mesazh politik sepse vendi është në luftë, presidenti është i ndërlikuar në shumë çështje të naftës dhe problemi i ngrohjes globale vazhdon. Biçikleta është mjet i pastër dhe i përshtatshëm udhëtimi nëpër qytete.”

Bill Simms nuk është i vetmi veprimtar i mjedisit që e kupton rëndësinë e sigurisë kombëtare. Në fillim të vitit, organizata Rrjeti Ambjentalist Evangjelik nisi një fushatë, duke u kërkuar të krishterëve të mendonin se çfarë mjet udhëtimi do të përdorte Jezu Krishti.

Fushata theksonte varësinë amerikane në naftën e importuar si kërcënim ndaj paqes. Menjëherë pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, komentatorja Ariana Huffington ndihmoi në përgatitjen e një numër eklamash televiziv dhe për gazetat, në të cilat ata që përdorinin makina të mëdha sportive që djegin sasi të madhe karburanti, quheshin si mbështetës financiarë të terrorizmit.

Fushata nuk pati ndonjë efekt të madh ndaj shitjes këtyre lloj makinave, por zëdhënësi i organizatës Sierra Club, Brendan Bell, thotë se kjo taktikë ka pasur sukses në të kaluarën. Ai therkson se legjislacioni i parë mbi konsumimin e tepërt të naftës në Shtetet e Bashkuara nuk u miratua për shkak se Kongresi ishte i shqetësuar për mjedisin, por për shkak se mendonte që varësia e Shteteve të Bashkuara në naftën e importuar ishte faktor që cënonte ekonominë amerikane.

Në vitin 1975, Kongresi miratoi një ligj, sipas të cilit makinat dhe kamionat duhej të udhëtonin një numër të caktuar kilometrash me një litër karburant. Kjo masë u mor në përgjigje të embargos së naftës nga OPEC-u. Një vit më parë, Kongresi kishte miratuar ligjin, sipas të cilit shpejtësa maksimale për automobilët u kufizua në 88 kilometra në orë, pasi mendohej që kjo ishte shpejtësi më e efektshme për sa i përket konsumimit të karburantit.

Mirëpo, ky ligj u shfuqizua në vitin 1995 dhe dispozitat ligjore mbi efektshmërinë e konsumimit të karburanitit të caktuara në vitin 1975 nuk janë zbatuar që nga viti 1985. Kjo, thotë zoti Bell, mund të ketë ndodhur për shkak se amerikanët në vitet 80 dhe 90 nuk kanë qenë të detyruar ta shikonin problemin e konsumimit të naftës si çështje të sigurisë kombëtare.

Megjithatë, sipas zotit Bell, shumica e veprimtarëve të mjedisit mendojnë se as argumenti i sigurisë kombëtare dhe as argumenti i mjedisit nuk do të kenë ndikim të madh në konsumimin e karburantit në Shtetet e Bashkuara për sa kohë që ndikimi politik i industrisë amerikane të naftës të vazhdojë të jetë kaq i madh.

XS
SM
MD
LG