Lidhje

Shqipëri: Ish presidenti Meidani tërhiqet nga gara për kryetarin e partisë - 2003-11-17


Një kandidat më pak për kreun e ardhshëm të partisë socialiste. Ish presidenti Rexhep Meidani, i pari që zyrtarizoi pjesmarrjen në garën e socialistëve më 12 dhjetor deklaroi sot tërheqjen.

Duke bërë edhe një herë një analizë kritike të gjendjes brenda partisë në pushtet zoti Meidani tha se edhe trysnia në rritje ndaj firmatarëve të kandidimit të tij ishin shkaqet e vendimit të marë:

“Në kushte të tilla të kësaj trysnie, të mungesës së transparencës, të zhvillimit të konkurrencës normale, të pjesmarrje pa sforcime në kontaktet me konferencat e partisë, duke parë që prodhohen mekanizma bllokues dhe duke parë që një pjese e shokëve rrezikojnë postet, ndihma ime ishte për t’u tërhequr”, tha ish presidenti.

Zoti Meidani sqaroi se ai kishte vendosur të kandidonte me idenë e bashkimit të partisë socialiste, për të mënjanuar cdo lloj shformimi të brendshëm, apo gjuetitë e shtrigave, por se nuk mund të pranonte të ishte pudër apo oksigjen për njërin apo tjetrin. Në të vërtetë kandidimi i zotit Meidani nisi problematik.

Pas miratimit të ndryshimeve dhe rregullave në statutin e partisë, ai bëri disa propozime të tjera për një konkurrencë të barabartë. Pjesa dërmmuese e propozimeve u miratuan më pas nga Komiteti i Përgjithshëm Drejtues, një mbledhje ku kundërshtarët e kryeministrit dhe njëkohësisht mbështetës të zotit Mejdani nuk shfaqën probleme apo shqetësime.

Por sipas ish presidentit problemet nisën pas kësaj mbledhjeje. E megjithatë zoti Meidani u bë nismëtar i një takimi mes kryeministrit dhe përfaqësuesve të rrymës rivale në partinë socialiste për gjetjen e një kompromisi. Takimi i së shtunës u quajt frytdhënës nga deputetët Brokaj, Braho dhe Zela. Por edhe këtë herë sipas ish presidentit situata ndryshoi më pas:

“Ajo iniciativë nuk dha rezultat. U duk sikur u zhvillua në një hapësirë kompromisi dhe tolerance. Por gjatë ditës, në deklaratat e mbrëmjes apo të mëngjesit nga zëdhënësi i qeverisë, u duk që përfundimi i vetëm që mund të nxirret ishte shfrytëzimi i takimit për të fituar kohë”.

Tani në garën e partisë socialiste ka mbetur vetëm kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama. Edhe ai ka shfaqur pakënaqësi për pamundësinë e një konkurrimi të barabartë. Nga ana tjetër, zgjidhja e krizës qeveritare brenda socialistëve duket e pamundur.

Demokratët në opozitë do të vazhdojnë mesa duket gjatë të bllokojnë siç kanë premtuar, punimet e parlamentit në pritje të emrave të dy ministrave të rinj.

Paralelisht ata do të përgatiten për nisjen e protestave të kryeqytet për të kërkuar përsëritjen e zgjedhjeve në Tiranë, të cilësuara tërësisht të manipuluara.

Këtë vendim të marrë nga kryesia e përsëriti edhe një herë sot kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në aktivin e degës së kryeqytetit.//ii

XS
SM
MD
LG