Lidhje

Transplantimi i fytyrës; Stuhitë diellore - 2003-11-18


Ekspertët e shëndetësisë në shtetin Kentaki po shqyrtojnë mundësinë e përdorimit të transplantimit të fytyrës në rastet më ekstreme. Kjo procedurë do t’i lejonte mjekët të transplanonin lëkurën e fytyrës së një përsoni të vdekur tek një pacient, fytyra e të cilit është dëmtuar rëndë. Mjekët në Luivill të shtetit Kentaki thonë se një operacion i tillë nuk pritet të kryehet së shpejti, por ata janë duke shqyrtuar aspektet etike dhe psikologjike të kësaj procedure.

Doktor Gordon Tobin thotë se çështjet teknike të operacionit kanë përfunduar. Doktor Tobin është shef i pavionit të kirurgjisë plastike pranë spitalit të universitetit Luisville dhe anëtar i grupit të kirurgëve që po merret me këtë çështje. Ai ka kryesuar ekipin e mjekëve që ka kryer me suskes operacione për transplantimin e duarve. Doktor Tobin thotë se çështja më e rëndësishme tani është për të përcaktuar nëse një operacion për transplanitimin e fytyrës do të kishte pasoja fizike dhe mendore për pacientin. Doktor Tobin thotë se në rast të një operacioni të tillë transplantimi, lëkura do të hiqej nga fytyra e një personi të vdekur dhe do të transplantohej tek pacientët me fytyrë jashtëzakonisht të dëmtuar nga zjarri ose aksidente të tjera.

Ekspertët thonë se ky lloj operacioni nuk do të përdorej për qëllime kozmetike apo zbukurimi, por vetëm për rastet kur fytyra e pacientit është dëmtuar jashtëzakonisht rëndë. Doktor Tobin thotë se operacionet e transplantimeve të fytyrës do të jenë të mundëshme brenda 5 vjetëve të ardhëshme.

Stuhitë diellore

Energjia diellore, kaq e efektëshme dhe e dobishme, një ditë mund të bëhet e rrezikëshme për planetin tonë. Dielli në vetvete është një furrë gjigande bërthamore nga e cila çdo vit çlirohen masa të zjarrta të cilat pengohen të hyjnë në atmosferën e tokës nga një shtresë e padukëshme mbrojtëse, shtresë për të cilën shkencëtarët thonë se po vjen duke u dobësuar. Ritmet e dobësimit të kësaj shtrese mbrojtëse janë tepër të larta, dhe shkencëtarët ende nuk janë në gjendje të thonë përse ndodh kjo.

Flakët diellore janë gazra të ngarkuara me elekricitet që dalin nga dielli në formë shpërthimesh të fuqishme mijëra herë në vit. Flakët diellore të kohëve të fundit ishin më të fuqishmet të regjistruara ndonjëherë nga astronomët.

Shkencëtari Andrew Coates pranë laboratorit të hapësirës Mullard në Angli, thotë se dielli në vetvete është një furrë termo bërthamore që çliron sasi të shumta materialesh të rrezikëshme në formë shpërthimesh të fuqishme. Në disa raste kjo masë gazesh që vërshon drejt tokës është në madhësinë e malit Everest.

Planeti ynë mbrohet, nga këto stuhi të hapësirës, nga një shtresë e padukëshme magnetike, por që po vjen duke u dobësuar. Gjeologu John Shaw pranë universitetit të Liverpulit në Angli thotë se ndryshimet që i janë shkaktuar kësaj shtrese gjatë 300 vjetëve të fundit janë më të madhe sesa ndryshimet e ndodhura gjatë 5 mijë vjetëve të fundit.

Shkencëtarët mendojnë se fusha magnetike po dobësohet dhe mund të arrijë në një pikë kur fusha magnetike mund të ndryshojë drejtimin, dhe kur kjo të ndodhë, shigjeta e busullës do të tregojë jugun në vend të veriut, ndërsa kafshëve, që orientohen nga një busull e brendëshme natyrale, do t’u duhet kohë t’i përshtaten një ndryshimi të tillë. Ndërkohë që kjo fushë magnetike ndodhet në periudhën kalimtare, ajo do të vazhdojë të dobësohet ndoshta deri në 90 përqind.

Në këtë mënyrë, thotë shkencëtari Coates, mburoja e planetit do të prishet dhe rrezatimi diellor dhe galaktik mund të godasë drejt përdrejt atmosferën tonë dhe rrezatimi në tokë do të rritet. Kjo do të çonte në një shtim të rasteve të kancerit si dhe do të sillte ndërprerje të vazhdueshme të komunikimeve satelitore.

Por dobësimi i kësaj mburoje magnetike ka edhe një anë pozitive. Aurorat, shfaqja natyrale me drita, mund të fillojnë të ndodhin çdo mbrëmje, madje edhe në vende ku nuk janë parë ndonjëherë më parë. Shkencëtarët thonë se këto janë vetëm parashikime dhe njerëzimi ka ende qindra vjet kohë për t’u përgatitur për to./al/

XS
SM
MD
LG