Lidhje

Presidenti Bush për vizitë shtetërore në Britani - 2003-11-18


Presidenti Bush arriti për një vizitë shtetërore triditëshe në Britani, në qendër të së cilës pritet të jetë gjendja në Irak. Presidenti do të pritet nga Princi Charles dhe do të qendrojë në Pallatin Buckingham si mysafir i Mbretëreshës Elizabet. Ai do të zhvillojë bisedime me kryeministrin Tony Blair lidhur me transferimin e pushtetit në Irak një qeverie të përkohëshme.

Policia në Londër ka marrë masa të jashtëzakonshme sigurie për vizitën e Presidentit Bush e cila fillon sonte dhe përfundon të premten. Qeveria ka mobilizuar rreth 14 mijë policë gjatë vizitës. Organizatorët presin që në rrugët e Londrës, rreth 100 mijë njerëz të protestojnë kundër luftës në Irak. Demonstruesit kanë në plan të marshojnë mbi urën Westminster dhe të kalojnë përpara Parlamentit. Protesta do të arrijë kulmin me zbulimin dhe rrëzimin e një statuje gjigante të Presidentit Bush të ngritur nga protestuesit.

Kjo është vizita e parë zyrtare shtetërore në Britani nga një president amerikan dhe autoritetet kanë marrë masa të rrepta sigurimi në Londër, ku mijëra njerëz kanë në plan të protestojnë kundër pranisë së trupave amerikane dhe britanike në Irak.

Kryeministrit britanik, Toni Blair, po i bëhet trysni politike në rritje lidhur me vendimin për tu bashkuar me Presidentin Bush në luftën për të pëmbysur Sadam Huseinin, kryesisht për shkak se argumenti i tyre kryesor ishte se udhëheqësi irakian mund të ndihmonte terroristët të shtinin në dorë armë të shkatërrimit në masë.

Kanë kaluar më shumë se gjashtë muaj që kur Presidenti Bush deklaroi se operacionet luftarake në shkallë të gjerë në Irak kishin marrë fund, por atje ende nuk janë gjetur armë të tilla.

Britania është aleatja më e fuqishme e Shteteve të Bashkuara në luftën kundër terrorizmit dhe kryeministri Tony Blair thotë se tani është koha për të qendruar pa lëkundje përkrah Amerikës, megjithë kundërshtimin e fortë publik ndaj vizitës së Presidentit Bush për shkak të politikës amerikane në Lindjen e Mesme.

Presidenti Bush ka thënë se nuk e shqetësojnë protestuesit kundër luftës dhe se ai mezi pret të vizitojë këtë vend ku njerëzit gëzojnë të drejtën e fjalës. Ai ka në plan të takohet edhe me pjestarë të familjeve të disa prej ushtarëve britanikë që janë vrarë në Irak.

Presidenti Bush ishte për vizitë në Britani në muajin prill, kur ai dhe Kryeministri Blair vlerësuan javët e para të ecurisë së luftës në Irak dhe përparimin në procesin e paqes për Irlandën e Veriut.

//rd//

XS
SM
MD
LG